Anulohet vendimi për shkarkim, Sejdiu pret t’i kthehet punës brenda tetë ditëve

Anulohet vendimi për shkarkim, Sejdiu pret t’i kthehet punës brenda tetë ditëve

Ish-drejtori i përgjthshëm i SHSKUK-së, Basri Sejdiu, ka njoftuar se sot ka pranuar vendimin nga Inspektorati i Punës për anulimin e Vendimit të Bordit Drejtues të SHSKUK-së për shkarkimin e tij nga pozita e Drejtorit të Përgjithshëm të këtij institucioni, njofton Insajderi.

Në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, Sejdiu ka thënë se Inspektorati Shëndetësor obligon që brenda 8 ditëve të zbatohet anulimi dhe të kthehet në pozitën që ka qenë.

“Është një lajm i mirë për mua sepse vendimin për shkarkim e kam konsideruar si të jashtëligjshëm dhe ofendues për punën time të ndërgjegjshme. Sot e kam marr vendimin nga Inspektorati Shëndetësor dhe Inspektorati Shëndetësor obligon që brenda 8 ditëve të zbatohet dhe të kthehem në pozitën që kam qenë”.

“Është një vendim ku të gjitha arsyetimet e listuara të vendimit për shkarkim i ka hedhur poshtë sepse në arsyetim shihet se auditori i brendshëm është për ta këshilluar menaxhmentin; ndërsa në raportin e auditorit të jashtëm ceket që viti 2018 ka qenë i shkëlqyeshëm ku vërehet se të gjitha rekomandimet kanë qenë të zbatuara”.

“Kemi bërë një punë me vet mohim për të ofruar shërbime sa më cilësore për pacientët tanë. Vendimi ka qenë i pritshëm sepse edhe në atë ditë kur e kam marrë vendimin papritmas, aty ceket se të gjitha procedurat janë të shkelura”, ka thënë ai.

Sejdiu shton se bordi nuk ka të drejtë ta shkarkojë drejtorin e SHSKUK-së. Sipas tij, arsyetimet e këtij bordi nuk qëndrojnë asnjëra.

“Pozita e drejtorit nuk e kam marrë si privilegj, por si përgjegjësi që të kontribuoj në përmirësim të shëndetit. Vitin e kaluar kemi pasur 3500 intervenime në zëmër që nuk e ka asnjë institucion tjetër në Ballkan. Kemi përmirësuar të gjitha klinikat edhe me shërbimet, me infrastrukturë, një punë e palodhshme, në fund drejtësia del në pah dhe vlerësohet drejt një vendim i cili ka qenë joligjor dhe është hedhur poshtë”, është shprehur tutje Sejdiu.

Ai ka thënë se pas shkarkimit të tij, të gjitha klinikat më vitale të QKUK-së e kanë marrë teposhtën për shkak të keqmenaxhimit.

“Kjo nuk dëshmon asgjë tjetër përveçse keqmenaxhim. Klinikat më vitale të QKUK-së janë atakuar”, ka përfunduar Sejdiu. /Insajderi.com