Anulohet zgjedhja e drejtorëve të shkollave të Prizrenit

Anulohet zgjedhja e drejtorëve të shkollave të Prizrenit

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka marrë vendim për anulimin e konkursit të shpallur në muajin prill për zgjedhjen e drejtorëve të shkollave.

Ai të enjten ka bërë të ditur se është konstatuar se procesi i përzgjedhjes së drejtorëve nuk i ka plotësuar të gjitha kriteret ligjore të përcaktuara në Udhëzimin Administrativ 08/2014 dhe në Udhëzuesin komunal për zgjedhjen e drejtorëve dhe se kjo përzgjedhje preliminare ngre dyshime për validitetin e procesit, shkruan sot Koha Ditore.

“Si kryetar i Komunës, në bazë të gjetjeve gjatë procesit të përzgjedhjes së drejtorëve, uroj DKA-në për përkushtimin për të pasur një përzgjedhje të drejtë të personelit udhëheqës arsimor në shkollat e Komunës së Prizrenit, gjersa ka vërejtur lëshime teknike nga ana e Komisionit përzgjedhës, të cilat kanë sfiduar procesin e këtillë. Në bazë të gjetjeve të punës së Komisionit, konstatohet se procesi i përzgjedhjes nuk i ka plotësuar të gjitha kriteret ligjore të përcaktuara në UA 08/2014 dhe Udhëzuesit për zgjedhjen e drejtorëve të shkollave Nr 1130/18 të Komunës së Prizrenit, konstaton se përzgjedhja preliminare ngre dyshime për validitetin, andaj merr vendim për anulimin e konkursit Nr.01-111-58856 të shpallur nga DKA më 24.04.2018”, ka njoftuar Haskuka, përmes rrjeteve sociale.

Paraprakisht ai ka vlerësuar punën e Drejtorisë së Arsimit, bashkë me angazhimet për përmirësimin e procesit të përzgjedhjes së drejtorëve duke e hapur procesin dhe përmirësuar transparencën. Por ka pranuar se përmirësimi i procesit nuk ka qenë i mjaftueshëm.