Gjykata e Apelit ai ka zbutur dënimin kryetarit të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, duke ia hequr akuzën për ‘Vrasje’. Në këtë mënyrë, i është shqiptuar dënimi më 7 vjet burgim.
Pjesa tjetër e aktgjykimit është konfirmuar siç ka qenë aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Mitrovicë i datës 25.05.2015.
Kurse Sylejman Selimit i janë caktuar në 5 vjet e 3 muaj burgim, ashtu që duke pasur parasysh edhe rastin “Drenica II” i është bashkuar dënimi dhe i është shqiptuar dënim unik në kohëzgjatje prej 10 viteve.
Po ashtu, edhe Jahir Demakut i është bashkuar dënimi në rastin “Drenica I” dhe “Drenica II” duke ia shqiptuar dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 7 vjetësh.
Këtë e ka bërë të ditur Tomë Gashi, avokat i Sylejman Selimit.
Ai ka thënë se aktgjykimi është skandaloz, dhe është nxjerrë pa asnjë provë dhe të gjithë janë dënuar me deklaratën e një dëshmitari të mbrojtur, i cili ka probleme mendore të vërtetuara edhe gjatë gjykimit.
“Ne avokatëve na mbetet që edhe këtë rast ta dërgojmë në Gjykatën Supreme të Kosovës, duke shpresuar se nuk do të ketë Gjyqtarë të tillë të EULEX-it, të cilët me paragjykime shqiptojnë dënime vetëm për shkak se Gjeneral z.Sylejman Selimi, z.Sami Lushtaku, Jahir Demaku dhe të tjerët kanë luftuar për lirin tonë”, ka shkruar Tomë Gashi në facebook./Insajderi.com