Apeli kthen në gjykim rastin “Apex”

Gjykata e Apelit e ka aprovuar ankesën e prokurorit. Si referencë ka përdorur vendimin e Gjykatës Supreme të Kosovës e cila kishte vendosur që aktakuza në rastin e KEK-ut në të cilën është i përfshirë Sami Lushtaku të kthehet në gjykim.

Apeli kthen në gjykim rastin “Apex”

Gjykata e Apelit ka vendosur që aktakuza në rastin “Apex” të dërgohet në gjykim në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ka mësuar Insajderi.

Gjykata ka aprovuar ankesën e prokurorit kundër vendimit të shkallës së parë për ta hedhur poshtë aktakuzën si të paafatshme. Gjykata kishte vendosur ta pushonte procedurën për shkak se aktakuza për krim të organizuar ishte ngritur pas afatit ligjor të hetimeve prej dy vjetësh.

Mirëpo, Gjykata e Apelit e ka aprovuar ankesën e prokurorit. Si referencë ka përdorur vendimin e Gjykatës Supreme të Kosovës e cila kishte vendosur që aktakuza në rastin e KEK-ut në të cilën është i përfshirë Sami Lushtaku të kthehet në gjykim.

Lajmin për kthimin në gjykim të kësaj lënde e ka konfirmuar për Insajderin, avokati Besnik Berisha.

“Po jam njoftuar për vendimin e Gjykatës. Rasti kthehet për gjykim në shkallën e parë”, ka thënë Berisha nëpërmjet telefonit.

Gjykata Themelore në Prishtinë kishte hedhur poshtë aktakuzën kundër 11 personave të ngarkuar mes tjerash për krim të organizuar.

Vendimi apex

Vendimin e kishte marrë më 30 dhjetor 2015 gjyqtarja Kateien Gabriel Wittenem.

“Pas interpretimit të saktë të dispozitave relevante të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, kryetarja e trupit gjykues ka ardhur në përfundimin se ligji nuk ka lënë tjetër zgjidhje, pasi që aktakuza është paraqitë pasi që ka kaluar afati ligjor”, kishte njoftuar Gjykata Themelore e Prishtinës.

Të akuzuar në këtë rast janë vëllezërit Arben e Astrit Krasniqi, Armend Neziri, Mujë Berisha, Gani Zeqiri, Kushtrim Hakaj, Arsim Mulliqi, Luan Halili, Agron Hoxha, Ilir Morina dhe Avni Morina për krim të organizuar, detyrim, shtrëngim dhe posedimi të paligjshëm të armëve  dhe narkotikëve.

Vëllezërit Krasniqi janë pronarë të lojërave të fatit “Apex”.

“Qëllimi i këtij grupi ishte përftimi material duke shfrytëzuar forcën dhe kërcënimet serioze për t’i detyruar bizneset apo individët tjerë që t’i mbyllin kazinotë e tyre, të largojnë makina të caktuara të lojërave të fatit, apo të veprojnë sipas kushteve të pafavorshme për ta”, pretendon prokuroria në aktakuzë.

Veprat penale të pretenduara përfshijnë periudhën nga viti 2008 – 2013 dhe ndërlidhen me lojërat e fatit dhe të industrisë së kazinosë në Kosovë.

Prokuroria pretendon se që nga viti 2008, deri në kohën e arrestimit, Arben Krasniqi dhe Astrit Krasniqi si pronar të Kompanisë së Kazinove, Apex “Play4Win kishin themeluar organizuar, mbikëqyrur, menaxhuar dhe drejtuar aktivitetet e një grupi të organizuar kriminal.

Sipas Prokurorisë, qëllimi i grupit të organizuar kriminal ka qenë sigurimi i përfitimeve materiale të paligjshme duke përdorur forcën dhe kërcënimet serioze duke i detyruar bizneset apo individët tjerë që t’i mbyllnin kazinotë e tyre, t’i heqin disa lloje të makinave të lojërave të fatit, ose të vazhdonin të punonin nën kushte sipas rregullave të caktuara nga ta, e që konsiderohen të favorshme vetëm për kompaninë “Apex” “Play 4Win”.

“Këto aktivitete ku është përdorur forca dhe kërcënimet serioze, kanë detyruar bizneset ose individët e tjerë, t’i mbyllnin kazinotë e tyre, të hiqnin makina të caktuara ose të vazhdonin të punonin nën kushtet tyre, sillnin disavantazhe për këto biznese ose individ”, pretendonte Prokuroria. “Arben Neziri ka vepruar kështu duke e ditur se pjesëmarrja e tillë do të kontribuonte në arritjen e qëllimit të aktiviteteve të grupit të organizuar kriminal”.

Qëllimi i grupit të organizuar kriminal, sipas Prokurorisë është vënia e haraçit bizneseve rivale.

“Kjo është arritur nëpërmjet përdorimit të kërcënimeve serioze dhe dhunës duke i shtrënguar këta individ që punojnë me makina bastesh, që t’i mbyllin ato, të heqin dorë prej përdorimit të makinave të prodhuara nga APEX-i (një kompani austriake) ose t’i marrin me qira makinat prej grupit të organizuar kriminal”, shkruan në kërkesën e prokurorit për caktimin e paraburgimit.

“Të gjitha këto praktika i sjellin epërsi grupit të organizuar kriminal, por disavantazhe bizneseve dhe individëve të sulmuar”.

Në këtë rast ka dëshmitarë të mbrojtur të cilët pretendonin se haraçi ka nisur në vitin 2008 dhe vazhdon deri në 2013.

Prokurori special Allen Cansick ishte vonuar 27 ditë. Për këtë arsye, aktakuza ishte hedhur poshtë nga shkalla e parë.