Apeli kthen në rigjykim rastin e HIB-it

Apeli kthen në rigjykim rastin e HIB-it

Në muajin maj të këtij viti, Kujtim Bucalia dhe HIB Petrol ishin dënuar nga Gjykata e Prishtinës.

Kjo kishte të bënte me pretendimet e prokurorisë për mashtrim me naftë jocilësore ndaj komunës së Prishtinës.

Buclaliu u dënua me dënim unik prej 4 vitesh burgim dhe gjobë në vlerë prej 15 mijë euro.

Por disa muaj pas, Gjykata e Apelit ka vendosur që ky rast të kthehet në rigjykim.

Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Insajderi avokati, Arianit Koci.

Koci ka thënë se tash çështja i kthehet përsëri gjykatës së shkallës së parë.

“Ankesa ime u aprovua dhe u anulua aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë. Çështja penale i është kthyer gjykatës së shkallës së parë në rigjykim dhe vendosje. Sidoqoftë, nuk e kam pasur as dilemën më të vogel se ky aktgjykim do të anulohet. Padrejtësia ndaj HIB është korrigjuar në shkallë të dytë”, ka thënë Koci.

Kujtim Bucalia dyshohej për mashtrim të Komunës së Prishtinës.

Sipas aktakuzës, Kujtim Bucaliu si personi përgjegjës i personit juridik HIB Petrol Sh.P.K dhe personi juridik HIB Petrol Sh.P.K, në intervalin kohor prej 8 shkurt të vitit 2012 e deri më 30 janar të vitit 2014, pas nënshkrimit të kontratës kornizë publike e lidhur në mes HIB Petrol Sh.P.K dhe të dëmtuarës Komunës së Prishtinës për furnizimin e 44 institucioneve edukative-arsimore brenda territorit te Komunës se Prishtinës me naftë për ngrohje dhe gjeneratorë, tani i pandehuri, personi përgjegjës i personit juridik HIB Petrol Sh.P.K me vetëdije ka mashtruar blerësin, Komunën e Prishtinës, në vazhdimësi me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të fondeve publike. /Inasjderi.com