Apeli merr vendim për babanë që vrau djalin e hasretit në Kamenicë

Apeli merr vendim për babanë që vrau djalin e hasretit në Kamenicë

Gjykata e Apelit e Kosovës e ka lënë në fuqi masën e paraburgimit prej një muaji ndaj  të pandehurit Gani Bernjashi i cili vrau djalin e tij të hasretit.

Në këtë mënyrë, Apeli ka refuzuar ankesën e avokatit të tij mbrojtës, kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Gjilan, të datës 25.05.2018.

“G.B. po dyshohet nga ana e prokurorisë, se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 179 paragrafi 1, nënparagrafi 1.1, 1.3 dhe 1.4 , të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, pasi që  me datë 24.05.2018, në mënyrë tejet të vrazhdë, me dashje e ka privuar nga jeta djalin e tij të ndjerin L. B.”, thuhet në njoftimin e Apelit.

Gjykata e Apelit, gjen se gjykata e shkallës se parë, ka dhënë arsye të mjaftueshme, mbi bazën ligjore për të cilën ka caktuar masën e paraburgimit ndaj tij, konform dispozitave të nenit 187 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës se Kosovës.

Për më tepër, vrasja e të birit 14 vjeçar nuk është akti i vetëm i tmerrshëm i babait nga Komuna e Kamenicës.

Vite më parë 60-vjeçari, Gani Bernjashi, i cili e mbyti djalin e hasretit duke e rrahur keq, si dhe rrahu vajzën e tij 17 vjeçe, kreu edhe një krim tjetër të tmerrshëm, po aq të tmerrshëm sa ky sot.

Ganiu në vitin 1997 erdhi në Prishtinë dhe e dhunoi një vajzë të mitur 12 vjeçare. Për këtë veprim ai vuajti dënim me burg deri në vitin 2004.

Këto të dhëna i kishte konfirmuar Prokurori i krimeve të rënda në Gjilan i cili po merret me rastin, Shaban Spahiu.