Apelon Hoti: Të respektohen masat në shkolla, të mos detyrohemi të ndërpresim prapë mësimin

Apelon Hoti: Të respektohen masat në shkolla, të mos detyrohemi të ndërpresim prapë mësimin

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka njoftuar se së bashku me Ministrinë e Arsimit dhe drejtoritë për arsim të komunave në vend, i kanë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për fillimin e vitit të ri shkollor, njofton Insajderi.

Me anë të një postimi në Facebook, Hoti ka thënë se rreziku nga infektimi mbetet ende shumë i lartë, pavarësisht rënies së numrit të të infektuarve me COVID-19.

“Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHPK-ja kanë qenë në mbështetje të plotë të ndaj kërkesave të Ministrit Likaj dhe komunave lidhur me përgatitjet e nevojshme, duke dhënë udhëzime të detajuara për organizimin e mësimit. Ministri Likaj ka përgjegjësi të madhe në këtë kohë, dhe të gjithë i kemi qëndruar në mbështetje të plotë, si me buxhet ashtu edhe me mbështetje institucionale”.

“Në dy javët e fundit janë verifikuar ambientet shkollore për plotësimin e kushteve për mësim sipas udhëzimeve të IKSHPK-së. Janë zhvilluar edhe protokollet e sjelljes në rast të paraqitjes së rasteve të infektimeve në shkolla”, ka shkruar Hoti.

Ai tutje ka bërë thirrje për prindërit që të kujdesen për fëmijët të respektojnë në mënyrë strikte udhëzimet e institucioneve shëndetësore.

“Tash është në dorën tonë si prindër që të kujdesemi që fëmijët tanë të respektojnë në mënyrë strikte udhëzimet e IKSHPK-së, duke filluar nga shfrytëzimi i transportit për në shkollë, hyrja në shkollë, qëndrimi në klasë, mbajtja e distancës, mbajtja e maskës, pastërtia e duarve dhe udhëzimet e tjera”.

“Të punojmë së bashkë, me disiplinë maksimale në respektim të masave mbrojtëse, në mënyrë që fëmijët tanë të jenë të sigurt, të kenë mundësi të marrin dijen në bankat shkollore, dhe të mos detyrohemi të ndërpremë prapë mësimin”, ka përfunduar kreu i Qeverisë. /Insajderi.com