fbpx

Apostolova: Jo çdo gjë është duke shkuar siç kemi pasur dëshirë për donacionet e huaja

Apostolova: Jo çdo gjë është duke shkuar siç kemi pasur dëshirë për donacionet e huaja

Në takimin e Forumit të Nivelit të Lartë për Koordinimin e donacioneve të jashtme, ku morën pjesë ambasadorë dhe donatorë, kryeministri Ramush Haradinaj theksoi se i gjithë populli i Kosovës, të gjitha komunitetet, bashkësitë etnike që jetojnë në Kosovë i falënderojnë donatorët në tërë këto 20 vjet, për bujarinë e treguar, për taksapaguesit dhe institucionet e tyre.

Haradinaj tha se falë kësaj ndihme, Kosova sot është dukshëm vend më i jetuar, një vend që ka dalë prej luftës, ka progres në reformat e brendshme, shoqërore, administrative e qeverisëse, ka shoqëri civile më të zhvilluar dhe ka një nivel shoqëror që aspiron t’i takojë familjes së popujve euroatlantik.

Kryeministri Haradinaj pati edhe një porosi për donatorët.

Haradinaj: Mos e zbehni përkrahjen

“Ju lutem mos u zhgënjeni edhe nga ndonjë lëshim potencial, nga ndonjë gabim, sepse ne mësojmë nga gabimet tona në Kosovë. Pra, mos u zhgënjeni dhe mos e zbehemi përkrahjen prej Kosovës. Nuk keni krijuar parazit tek ne me ndihmën e juaj, por na keni nxitë në vetëdije, na keni nxitur në progres dhe në zhvillim. Ka plot tema që dikur kanë qenë tabu ose të vështira, sot janë realitet në jetën tonë. Vërtet e meritojmë që sot me u ndie krenar për një bashkëpunim të ndërsjellë të popullit dhe të institucioneve të Kosovës”, tha Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj në këtë Forum, ndër të tjera tha se do t’i propozojë Qeverisë ndarjen e një donacioni për renovimin e Katedrales Notre Dame, në shenjë mirënjohje për ndihmën që i është dhënë në vazhdimësi Kosovës.

Haradinaj: Notre Dame, humbje e vlerave për kontinentin tonë

“Na vjen shumë keq që e kemi parë katedralen në zjarr, është një humbje e vlerave për kontinentin tonë”, deklaroi Haradinaj.

Ministrja Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha tha se donacionet e jashtme kanë qenë kontribut për shtet ndërtimin dhe konsolidimin e Kosovës në të gjitha dimensionet e mundshme.

Ministrja Hoxha ceku se gjatë këtij viti synohet përmirësim i ndjeshëm i planifikimit të brendshëm dhe përmirësimin në zbatimin e projekteve.

Ajo tha se tashmë kanë bërë hapa për të përmirësuar procesin e koordinimit të donacioneve të jashtme, përmes ngritjes së sistemit të monitorimit dhe raportimit, mirëpo sipas saj, sfida kryesore mbetet niveli i zbatimit të projekteve sipas afateve të planifikuara konform objektivave të përcaktuara nga Qeveria e Kosovës.

Hoxha: Pa ndihmën e donatorëve të jashtëm, Kosova nuk do të ishte këtu ku është

“Si shteti më i ri dhe më pro evropian në Evropë, Kosova do të vazhdojmë me implementim dhe me një dinamizëm të shtuar të zbatimit të MSA-së, për t’i hapur rrugë marrjes së statusit të kandidatit për anëtarësim në BE, si synim parësor të vetëm që kemi para nesh, dhe pa ndihmën e donatorëve të jashtëm, Kosova nuk do të ishte këtu ku është edhe sot. Donatorët vazhdojnë të jenë pjesë integrale e zhvillimit të gjithmbarshëm institucional të Kosovës dhe rezultatet sigurisht që janë impresive”, tha Hoxha.

Përfaqësuesja e BE për Kosovës Natalya Apostolova tha se donacionet e BE që janë rreth 100 milionë euro në vit, janë të destinuara për sundimin e ligjit, për ekonomi, për arsim, për bujqësi dhe energji, mirëpo sipas saj, jo çdo gjë është duke shkuar në implementimin e projekteve ashtu siç ka pasur dëshirë Bashkimi Evropian.

Apostolova: Jo çdo gjë është duke shkuar siç kemi pasur dëshirë

“Jam dëshmitare e ndikimit të asistencës tonë dhe vërtet ka ndihmuar dhe përmirësuar jetën e njerëzve e të gjitha komuniteteve në Kosovë. P.sh, derisa shembujt e mirë dalin në pah, jo çdo gjë është duke shkuar siç kemi pasur dëshirë. Nga ky forum, është një mundësi të shohim se çfarë është arritur nga vitet e kaluara, mirëpo kryesisht duhet parë atë se çfarë nuk është arritur apo çfarë mund të kishte qenë më mirë për mësuar nga ato. Është me rëndësi që këtë ta bëjmë së bashku në mënyrë që ta paraqesim efektin tonë pozitiv të ndihmës tonë”, theksoi Apostolova.

BE-ja vazhdon të jetë donatori kryesor, i pasuar nga Gjermania, ShBA, Zvicra dhe kështu, ndërsa, sektori kryesor që ka përfituar nga donatorët është zhvillimi ekonomik, punësimi dhe mirëqenia, pasuar nga sundimi i ligjit, si dhe komunat.