Apple heqë aplikacionin e përdorur nga protestuesit në Hong Kong

Kompania amerikane, Apple ka larguar një aplikacion që kanë shfrytëzuar protestuesit në Hong Kong për të regjistruar lëvizjet e policisë dhe përdorimin e gazit lotsjellës, duke thënë se aplikacioni ka shkelur rregullat e kompanisë.

Apple heqë aplikacionin e përdorur nga protestuesit në Hong Kong

Sipas Apple, aplikacioni, HKmap.live, është “shfrytëzuar në një mënyrë që ka rrezikuar zbatuesit e ligjit dhe banorët”.

Apple e ka kundërshtuar edhe më parë këtë aplikacion, që shfrytëzon të dhëna nga protestuesit në vendin e ngjarjes.

Mirëpo vendimi për ta larguar atë nga lista e aplikacioneve ka ardhur pasi Apple ka thënë se “shumë përdorues të shqetësuar” e kanë kontaktuar kompaninë.

“Ne kemi verifikuar me Zyrën për Siguri Kibernetike të Hong Kongut dhe Zyrën për Krime Teknologjike se aplikacioni është shfrytëzuar për t’i sulmuar zyrtarët policorë”, ka thënë Apple.

Në deklaratë është thënë edhe se “kriminelët kanë përdorur këtë aplikacion për viktimizuar banorët në zonat në të cilat kanë njohuri se nuk ka shumë zbatim të ligjit”.

Mediet shtetërore kineze patën kritikuar nga fillimi vendimin e kompanisë amerikane për të shtuar në listën e saj këtë aplikacion.

Për Apple, Kina përbën një treg të madh si për shitje, ashtu edhe për prodhim të produkteve të saj.