fbpx

Arbana Xharra i bashkohet “partisë së krimit”

Ish-kryeredaktorja e Gazetës “Zëri”, Arbana Xharra ka zyrtarizuar anëtarësimin në PDK. Xharra për vite të tëra kishte zënë hapësirë të madhe publike e pozicionuar kundër krimit dhe korrupsionit në Kosovë. PDK-në e udhëhequr prej Hashim Thaçit dhe së fundi prej Kadri Veselit e ka cilësuar vazhdimisht parti të krimit, korrupsionit dhe së keqes në këtë vend. Prej të martës Xharra është kolege me Adem Grabovcin, Sami Lushtakun, Xhabir Zharkun, Rrustem Mustafën, Latif Gashin, Bekim Haxhiu, Nuredin Lushtakun, etj. Shef e kanë Kadri Veselin.

Arbana Xharra i bashkohet “partisë së krimit”

Arbana Xharra ndodhej në Himarë të Shqipërisë kur “Koha Ditore” kishte raportuar se si ish-gazetarja Alma Lama kishte bërë kompromis për ta votuar Hashim Thaçin për president në këmbim të pozitës së ambasadorë në Itali.

Prej Jugut të Shqipërisë e kishte gozhduar ish-deputeten e Vetëvendosjes, Alma Lama që më vonë u bërë pjesë e LDK-së për këtë veprim.

“Alma Lama a po të vjen turp ta shesësh votën për një pozitë??? Deri këtu paska ra pazari??? Ku mbeti gjithë ajo zhurmë morale e politike që me vite na ke shitur. Më befasoi lajmi kur lexova se ti ke rënë në këtë nivel, e aq më shumë kur tash po kujtoj gjithë atë përpjekje që ke bërë gjoja për të mirën e këtij vendi. Të gjitha kauzat tuaja, paskan qenë për një post diplomatik!”, kishte shkruar Xharra më katër korrik të vitit të kaluar në llogarinë e saj në “Facebook”.

Por, Xharra për vite të tëra kishte zënë hapësirë të madhe publike e pozicionuar kundër krimit dhe korrupsionit në Kosovë. PDK-në e udhëhequr prej Hashim Thaçit dhe së fundi prej Kadri Veselit e ka cilësuar vazhdimisht parti të krimit, korrupsionit dhe së keqes në këtë vend.

Të martën zyrtarisht, Xharra është bërë pjesë e asaj që e ka cilësuar të keqe.

Ish-kryeredaktorja e gazetës “Zëri” pas negociatave disa javore me ish-shefin e SHIK-ut, Kadri Veseli, ka zyrtarizuar anëtarësimin ne Partinë Demokratike të Kosovës.

E, gjurmët e shkruara që ka lënë Xharra në media dhe rrjetet sociale “kundër krimit dhe korrupsionit të PDK-së”, janë të dukshme, ani se shumë prej statuseve të saj në “Facebook” kundër Veselit dhe PDK-së tashmë i ka mbyllur për publikun.

Xharra si gardiane e zhvillimeve dhe aderimeve në subjekte politike që i cilësonte si shitje të pamoralshme, kishte qenë e ashpër kur drejtoresha e gazetës “Kosova Sot”, Margarita Kadriu ishte bërë pjesë e PDK-së në vitin 2014. Kishte publikuar një koment në gazetën “Zëri” të titulluar: “PDK, partia që pret duar”.

“Lista e PDK-së, e cila ka pasur nevojë urgjente për reformë të brendshme, për pastrim të radhëve nga të dyshuarit për krime, vazhdon të jetë e njëjtë. Dorën në zemër, Thaçi nuk ka mundur të pastrojë listën, sepse ata i duhen për të mbajtur ato struktura të shtetit që zhvatësit nga partia e tij i kanë vënë tashmë nën kontroll. Listat e publikuara shfaqin emrat, që po tentojnë përmes PDK-së të kacavirren sërish në pushtet me përpjekje këmbëngulëse, që ta ruajë rrjetin e tyre që ka kapur shtetin”, kishte shkruar Xharra më 19 prill të vitit 2014.

Xharra ishte kujdesur që t’i informonte ambasadorët e akredituar në Kosovë për nivelin e krimit të kryer nga PDK-ja. Vitin e kaluar ajo i kishte shkruar një letër ambasadorëve gjatë kohës që Insajderi publikonte përgjimet e zyrtarëve të PDK-së, përfshirë Kadri Veselin.

Thoshte se mirëqenia në Kosovë lidhet me të qenit pjesë e Grabovcit dhe kompanisë së tij.

“A e dini ju ambasadorë të nderuar, pse kaq shumë kosovarë e adhurojnë Erdoganin? Sepse Evropa nuk ka arritur ta prodhojë asnjë referencë për ta. A e dini se ato bursa që u jepni të rinjve të shkollohen jashtë Kosovës, u shkojnë huq. Ata kthehen më pas për t’u shndërruar në raste sociale, sepse kjo i pret duke qenë jashtë strukturës Grabovci & CO”, shkruante Xharra më 2 gusht 2016.

Në janar të këtij viti Xharra kishte dhënë një zotim publik në emisionin “Komiteti” të “Gazetës Express” se nuk do të futet në ndonjë strukturë politike. Pretendonte se ka shumë për t’i dhënë gazetarisë.

Ky kontribut për gazetarinë zgjati vetëm katër muaj, kur ajo u bë pjesë e partisë që e ka cilësuar të lidhur me krimin.

“Mendoj se kam më shumë ndikim prej këtij pozicioni se sa të futem në parti politike të bëhem deputete apo ministre”, kishte thënë ajo.

Xharra në vazhdimësi ka qenë aktive me statuset e saj në “Facebook” kundër PDK-së. Shumicën prej tyre i ka larguar. Megjithatë këto statuse janë bërë lajme nga mediat online. Një të tillë ia kishte kushtuar Kadri Veselit, në raport me një deklaratë të tij që lidhet me fenë.

“Kadri Veseli paska thënë se kemi probleme ndërfetare me vendet fqinje. Kjo i bije që edhe në luftën e fundit kemi pasur luftë fetare. Kjo është një marri e madhe që i etiketohet Kosovës. Ne nuk kemi pasur kurrë probleme fetare me vendet fqinjë. Është ushtruar gjenocid pse kemi qenë shqiptarë dhe jo pse jemi mysliman. Kjo deklaratë e juaja qenka botuar në mediat e huaja. Ti mundesh me u marrë me 5 momentet tuaja, por mos e merr në qafë një vend me të pavërteta e deklarata kaq të rrezikshme të cilat do të shfrytëzohen si kartë nga vendet që kundërshtojnë shtetin e Kosovës”, kishte shkruar Xharra në shkurt të këtij viti në “Facebook”.

Ky status nuk është më në llogarinë e saj në “Facebook”, por gjendet si lajm në faqen e “Zërit”, medium ky i drejtuar prej Xharrës prej disa vjetësh.

Ndër parashikimet e saj ishte edhe rezultati i zgjedhjeve. Ajo priste që këtë rezultat ta përcaktonte Gjykata Speciale, e cila pritet të gjykojë krimet më të rënda të kryera gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Të dyshuarit kryesorë janë krerët e PDK-së, përfshirë Kadri Veseli.

“Për zgjedhjet e ardhshme krejt varet prej Gjykatës Speciale, se kush do të merret nga cila parti. Pres rritje të ‘Vetëvendosjes’, ramje të LDK-së dhe prapë PDK ka me qenë e para. Mirëpo ndryshimi në këto zgjedhje do të jetë vetëm ‘Vetëvendosje’ do të dal e dyta”, kishte thënë Arbana Xhara në emisionin “Komiteti” në janar të këtij viti.

Prej të martës, Arbana Xharra do të shërbejë në një parti të cilën e kishte quajtur parti të krimit. Madje, parti që pret duar. /Insajderi.com