Ariu rus ulërin por nuk kafshon

Pas sulmit në Siri mund t'i nxjerrim këto shtatë mësime, shkruan Welt gjerman.

Ariu rus ulërin por nuk kafshon

Frika nga përshkallëzimi pas goditjeve ajrore në Siri nuk doli e vërtetë. Franca, Britania e Madhe dhe SHBA kanë gjuajtur tri caqe në Siri, dhe këto janë mësimet të cilat mund ti nxjerrim nga këto sulme, shkruan gazeta gjermane “Welt”.

  1. Trump megjithatë mërzitet për rendin ndërkombëtar

Deri tani është konsideruar se Trump, si president i cili proklamon politikën “Amerika para se gjithash”, nuk mërzitet fort për rendin ndërkombëtar dhe se i përcjellë vetëm qëllimet amerikane ngushtë të definuara. Mirëpo, shembulli i Sirisë tregon se as presidenti aktual nuk mund t’i ikë rolit klasik të SHBA.

Në fjalimin e tij të mbajtur të premten mbrëma ai e ka arsyetuar intervenimin në Siri me qëllim të zbatimit të ndalesës së përdorimit të armëve kimike i cili është miratuar pas Luftës së Parë Botërore.

Në sulmin më të ri Trump vepron si polic klasik botëror, i cili e mbron rendin ndërkombëtar prej diktatorit sirian Bashar al-Assad, e sidomos Konventën e Gjenevës dhe ndalimin e armëve kimike.

  1. Ariu rus ulërin por nuk kafshon

Rusia ka kërcënuar me pasoja të rënda në rast të goditjes ushtarake kundër Assadit. Madje ambasadori rus në Liban paralajmëroi se ushtria ruse do t’i sulmojë bazat nga të cilat fluturojnë aeroplanët apo nga të cilat qëllohen caqet ushtarake siriane. Doli që këto ishin kërcënime të thata.

Moska u përpoq që të mbjellë frikë në opinionin perëndimor nga konflikti i fuqive të mëdha, me qëllim t’i ndalë qeveritë në Uashington, Paris dhe Londër të mos intervenojnë kundër Rusisë.

Pasi nuk patën sukses, doli që Rusia e di shumë mirë me kë mund të përleshet (p.sh. me Gjeorgjinë apo Ukrainën), dhe me kë nuk guxon.

  1. Trump nuk dëshiron të ketë lidhje me luftën civile në Siri

Goditjet ajrore treguan se sa është Assadi i lëndueshëm. Sistemet siriane për mbrojtje kundërajrore, me të cilat e pajisi Rusia, u treguan të pafuqishëm në raport me teknikën ushtarake perëndimore. Xhirimet satelitore tregojnë se raketat vetë fluturuese perëndimore i kanë goditur të gjitha caqet. Mirëpo, Trump nuk ka ndryshuar asgjë kur është në pyetje epërsia e Assadit në raport  me opozitën siriane, gjë që konfirmon se ai edhe më tutje nuk dëshiron të ketë punë me luftën qytetare në Siri dhe me rezultatin e saj.

  1. Sulmi është fitore e fshehtë e Assadit

Edhe pse aftësia e Assadit për përdorim të armëve kimike është zvogëluar pas sulmit, aleatët perëndimorë me këtë vetëm e kanë konfirmuar gjendjen ekzistuese. Tani është e qartë se ata nuk do ta ndryshojnë raportin e forcave në Siri në favor të opozitës dhe nuk donë ta largojnë Assadin.

Ata thjesht janë pajtuar me atë se regjimi sirian do ta fitojë luftën me përkrahje të Rusisë dhe Iranit. Mësimi është: Derisa nuk e përdor armatimin kimik, mund ta vazhdosh luftën kundër popullit tënd.

  1. Propaganda ruse po e zbaton një model të caktuar, megjithatë shumica po bien pre e saj

Propaganda ruse tashmë me vite po zhvillohet sipas skenarit të njëjtë. Qoftë nëse bëhet fjalë për konfliktin në Ukrainë, për sulmin me gaz helmues ndaj ish spiunit Skripal dhe vajzës së tij apo për sulmin e fundit sirian me gaz helmues javën e kaluar: në kanalet zyrtare dhe jozyrtare të Moskës mohohet se ka ndodhur diçka e tillë, përhapen teori të pabesueshme konspirative dhe aq shpesh e ndërrojnë tregimin saqë nuk mund t’i përcillni.

Herë thonë se sulm me gaz helmues nuk ka pasur, herë thonë se ky është mashtrim i opozitës, e më pas thonë se pas gjithë kësaj qëndrojnë britanikët apo dikush i treti. Për propagandistët nga Kremlini nuk është me rëndësi se a janë informatat e tyre të besueshme. Mjafton që nëpër medie të përhapet sa më tepër dyshim në versionin e perëndimit për ngjarjet.

  1. Evropa edhe më tutje distancohet nga i gjithë tregimi

Siria është në fqinjësi me Evropën, viktimat e luftës civile në mënyrë masive po ikin në BE, duke rënduar dukshëm sistemet sociale, por edhe politike. Duka pasur parasysh rrezikun i cili po e kërcënon Evropën nga konflikti, është përfundim logjik se anëtaret e BE ishte dashur të kyçen në zbatimin e ndalimit të armatimit kimik dhe së paku t’i zhvillojnë konceptet për përfundim të mundshëm të luftës civile.

Mirëpo, asgjë prej kësaj. Forca kryesore evropiane Gjermania, si edhe gati gjithë të tjerët, po i ikë përgjegjësisë, duke ia dorëzuar terrenin Britanisë së Madhe, e cila së shpejti po del nga BE, dhe Francës.

  1. Politikanët duhet ta heqin prej fjalorit formulimin “misioni u plotësua”.

“Nuk do të këshilloja që ta përfundojë twitt’in me formulimin “misioni u plotësua”, është përgjigjur duke reaguar në twitt’in e Trumpit Ari Fleischer, ish zëdhënës i presidentit George W. Bush, i cili ishte bërë cak i shakave pasi që në maj të vitit 2013 kishte deklaruar se “Misioni në Irak u plotësua”. Në fakt, në Irak vetëm më vonë filloi luftë e vërtetë civile, e cila i solli amerikanët në kufi të disfatës.

Shefi Shtatmadhorisë së forcave të armatosura amerikane, gjenerali Kenneth McKenzie, së shpejti pas komentit të Fleischerit ka pranuar se nuk është shkatërruar i gjithë programi kimik i Assadit.

“Do të kisha thënë se edhe në të ardhmen ata mund të kryejnë sulmet kimike”, ka thënë McKenzie./Insajderi.com.