Arratiset i dënuari për sulmin ndaj Selës

Arratiset i dënuari për sulmin ndaj Selës

Nikolla Vojminovski, i dënuar me 13 vjet burgim për sulmin ndaj kreut të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, në prill të 2017-s, në Kuvendin e Maqedonisë.

Vojminovskit ishte dënuar me 13 vjet në shkallë të parë, ndërsa i ishte shqiptuar arresti shtëpiak deri në plotfuqishmërinë e aktvendimit, ndërsa gjatë kontrollit rutinor të policisë, ai nuk është gjetur në shtëpi, shkruan “alsat”.

Gjykata Penale, sipas medieve në Maqedoni, nuk ka demantuar e as nuk ka konfirmuar se Vojminovski është arratisur.

Ndërkohë, Aleanca për Shqiptarët ka reaguar duke thënë “se Maqedonia po bëhet vend i çudirave dhe aty ka gjithçka përveç drejtësisë dhe shtetit ligjor”.

Në reagim thuhet se ikjet e tilla po vrasin shpresën e fundit se në Maqedoni mund të kthehet drejtësia.

“Nikolla Vojminovski edhe pse i dënuar për veprën e rënde penale është lejuar të qëndrojë në paraburgim shtëpiak gjoja për arsye shëndetësore dhe në këtë mënyrë institucionet e shtetit dhe MPB po dorëzohen përballë kriminelëve dhe të korruptuarve!

Këto ikje të koordinuara dhe të ndihmuara nga pushteti LSDM-BDI me ndihmën e MPB dhe Gjykatave të politizuara, pas Ligjit të Amnistisë dhe ikjes së Gruevskit, po vrasin edhe shpresën e fundit se në Maqedoni se mund të kthehet ndonjëherë drejtësia dhe se krimi në Maqedoni jo që nuk sanksionohet por shpesh herë po inkurajohet madje edhe po shpërblehet. Arsyetimet boshe te udhëheqësve shtetëror që shpesh herë mundohen ta bartin përgjegjësinë herë të Gjykatat e herë të Prokuroria apo të Ministria e Brendshme, janë bërë refreni i përditshëm i Qeverisë LSDM-BDI dhe janë të pajustifikueshme për qytetarët dhe për Aleancën për Shqiptarët. Ky pushtet i cili lejon ikjen e një krimineli të dënuar me 13 vite burg, për tentim vrasje nuk mund ta mbrojë lirinë e askujt tjetër, sepse krimi dhe korrupsioni ka metastazuar thellë në mentalitetin politik të të gjitha qeverive duke përfshirë edhe këtë të fundit”, thuhet në reagim.

ASh po ashtu ka thënë se ikjet e tilla “tregojnë që burgjet janë ndërtuar vetëm për shqiptarët”.

“Ikja e fundit e Nikolla Vojminovksit, amnistia e te dënuarve tjerë për 27 Prillin, tregon se burgjet na qenkan të ndërtuar vetëm për shqiptarë dhe të dënuarit maqedonas o duhet të ikin o duhet të amnistohen sepse kështu e kërkon tradita e përhershme e sistemit të drejtësisë në Maqedoni, me standarde të dyfishta, një për maqedonasit dhe tjetër për shqiptarët. I bëjmë thirrjen e fundit Qeverisë së RM-së, Ministrisë së Punëve të brendshme, Gjykatave dhe Prokurorisë, të bëjnë punën e tyre sipas ligjit, të sanksionojnë shkelësit e veprave penale, sepse në të kundërtën do të cilësohen si bashkëpunëtor të krimit dhe do të mbajnë përgjegjësi morale dhe penale”, thuhet më tej në reagim.