Arrestime për shkak të vrasjes së gazetarit sllovak

Pas shtatë muaj hetimesh të vrasjes brutale të gazetarit hulumtues sllovak Jan Kucijak dhe të fejuarës së tij, policia sllovake ka arrestuar tetë persona në mes të cilëve duhet të jetë vrasësi dhe ata të cilët i kanë ndihmuar në këtë krim.

Arrestime për shkak të vrasjes së gazetarit sllovak

“Para disa minutash njësiti NAKA ka arrestuar personat e dyshuar për vepra të dhunshme penale. Momentalisht janë duke u zhvilluar bastisjet”, ka kumtuar sot herët në mëngjes policia sllovake.

Sipas njoftimeve të “Denjak N”, janë arrestuar tetë persona, në mes të cilëve është edhe vrasësi i cili kah fundi i shkurtit brutalisht e ka likuiduar në shtëpinë e tij në fshatin Velia Maça Kucijakun, i cili merrej me hulumtimin e korrupsionit dhe lidhjet e zyrtarëve sllovak me biznesmenët dhe mafinë italiane në agrobiznes në jug të Sllovakisë, dhe të fejuarën e tij Martina Kusnirov.

Gazeta online “Aktuality.sk”, për të cilën ka punuar si gazetar hulumtues i ndjeri Kucijak, merr vesh nga burimet e veta se janë arrestuar njerëzit nga jugu i Sllovakisë.

Ata konkretisht janë vrarë për shkak të dy apo më shumë temave hulumtuese të cilat përfshinin mafinë dhe politikën, të cilat e kishte nisur gazetari, ka kumtuar prokurori i Prokurorisë Speciale të Sllovakisë, i ngarkuar për hetimin e këtij krimi.

Siç ka raportuar më herët Insajderi.com., Kucijak dhe e fejuara e tij janë likuiduar kah fundi i shkurtit në vrasjen profesionale dhe të porositur. Për shkak të vrasjes së gazetarit dhe të fejuarës së tij, në Sllovaki kanë shpërthyer demonstratat më të mëdha, prej atyre të vitit 1989 kur është mposhtur pushteti komunist, ku është kërkuar gjetja e vrasësve dhe dorëheqja e qeverisë së Robert Ficit e cila edhe ra kah mesi i marsit./Insajderi.com.