Arrestohen 20 persona për kontrabandë me emigrantë

Arrestohen 20 persona për kontrabandë me emigrantë

Sektori i Hetimeve i Departamentit të Policisë Kufitare, ka arrestuar 20 persona pas një hetimeve disa mujore në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, nën dyshimin e kryerjes së veprës ‘kontrabanda me emigrantë’, shkruan Insajderi.

Sipas njoftimit të dërguar për media 14 prej tyre janë shtetas të Kosovës, ndërsa gjashtë me shtetësi nga vendet e lindjes (Iraku, Siria dhe Palestina).

Operacioni është zhvilluar në dy rajone: në rajonin e Mitrovicës Jugu dhe në rajonin e Prizrenit.

“Si rezultat i hetimeve të mëhershme nga Sektori i Hetimeve të DPK-së dhe me asistimin e njësive tjera mbështetëse të PK-së, janë kryer kontrolle në 10 lokacione (shtëpi, hotele dhe objekte përcjellëse)”, thuhet në njoftim.

Më tej thuhet se gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar provat materiale si në vijim: 22 telefona celular, 11 automjete të ndryshme, gjashtë fishekë cal 7.65 mm, një grirëse për mariuhanë, dy pako rizzllo, tri çip (memoristik) – kartela të telefonit, disa sim kartela dhe një sasi e mjeteve monetare.

“Pas përfundimit të procedurave, me vendim të prokurores së rastit nga Prokuroria Themelore e Krimeve të Rënda në Mitrovicë, janë dërguar në mbajtje prej 48 orëve njëmbëdhjetë të dyshuar, ndërsa nëntë prej tyre janë liruar në procedurë të rregullt”, është shkruar në njoftim./Insajderi.com.