Arrestohen 6 persona për bixhoz të paligjshëm

Arrestohen 6 persona për bixhoz të paligjshëm

Policia e Kosovës gjatë ditës së djeshme në qytetin e Vushtrrisë ka arrestuar 6 persona për veprën penale “organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të kundërligjshëm”.

Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar, Sektori i Hetimeve, pas pranimit të disa informacioneve nga burime të sigurta, është angazhuar në terren për verifikim të informacioneve, përveç asaj janë ndërmarrë edhe veprimeve të tjera hetimore, me ç’rast është konfirmuar që në disa lokacione në Vushtrri janë duke u zhvilluar veprimtari e kundërligjshme e lojërave të fatit, të cilat kohë më parë janë ndaluar me ligj.

Me urdhër të Gjykatës Themelore Mitrovicë janë kontrolluar 6 lokale të ndryshme në të cilat ishin duke u zhvilluar lojëra të fatit, me ç’rast si prova materiale përkohësisht janë sekuestruar: 30 televizionë, 17 shtëpiza kompjuteri, dy telefona, 3 monitorë si dhe disa bileta për baste, tiketa dhe dokumente të ndryshme relevante për rastin.

Po ashtu në vendngjarje janë arrestuar personat: I. M. 60-vjeç,  B. B. 39-vjeç, G.P. 29-vjeç, S.S. 34-vjeç, F. I. 51-vjeç dhe V. M. 23-vjeç.

Personat e dyshuar të lartcekur janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit të PTH Mitrovicë janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Operacioni është zhvilluar në mbështetje të njësiteve policore Prishtinë, Vushtrri si dhe Inspektorati Komunal Vushtrri, të cilët kanë mbyllur të gjitha lokalet e kontrolluara.