Dy gazetarë janë shoqëruar në polici pas lajmit të rremë se një tërmet parashikonte të binte në orën 23:30 të 22 shtatorit. Policia e shtetit përmes një nj" />

Arrestohen dy gazetarë në Shqipëri, publikuan lajme të rreme për tërmetin

Arrestohen dy gazetarë në Shqipëri, publikuan lajme të rreme për tërmetin

Dy gazetarë janë shoqëruar në polici pas lajmit të rremë se një tërmet parashikonte të binte në orën 23:30 të 22 shtatorit.

Policia e shtetit përmes një njoftimi për shtyp deklaron se ka shoqëruar gazetarin e portalit “SYRI.net”, Aurel Rakipllari dhe gazetaren Daniela Grica e “Shekullit”.

“Menjëherë pas publikimit të një lajmi të rremë në portalin “SYRI.net” dhe më pas edhe në disa portale të tjera, se sipas parashikimeve të një sizmologu grek do ketë në orën 23.30 një tërmet të fuqishëm, lajm i cili shkaktoi panik të madh tek qytetarët të cilët braktisën banesat dhe dolën në rrugë, Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë kanë shoqëruar në Polici gazetarin e portalit “SYRI.net”, Aurel Rakipllari dhe gazetaren Daniela Grica e “Shekullit”, për veprime të mëtejshme, të cilët kanë bërë publikimin e këtij lajmi të rremë, me pasoja paniku te qytetarët”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në njoftimin e saj Policia e Shtetit informon se ka ngritur një grup të posaçëm hetimor “për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të autorësisë së këtij lajmi dashakeq që krijojë frikë e panik tek qytetarët.”

Policia e Shtetit i bën gjithashtu thirrje qytetarëve që të ruajnë qetësinë dhe të mos bien pre e njoftimeve dashakeqe dhe siguron ata se cilido që do përhapë njoftime të tilla do të përballet me forcën e ligjit.

Gjithashtu kërkon mirëkuptimin e medias që të tregohen më të kujdesshëm në njoftimet që shpërndajnë, duke kërkuar informacion zyrtar para publikimeve të lajme që krijojnë frikë e panik tek qytetarët.

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhacka deklaroi pak me pare se autori i ketij lajmi do ndeshkohet me burg.

Edhe ministri i Brendshem Sander Lleshaj reagoi ne Facebook: “Ata që në vend të solidaritetit njerëzor zgjodhën të nxisin tinëzisht dhe djallëzisht panikun, duke kontribuar kështu për të favorizuar gjithë llojet e krimit, do të përballen me ligjin. Policia ka kryer ndërkohë veprimet e para.”/oranews