Policia ka arrestuar dy të dyshuar për vjedhjen e gjashtë motor-sharrave në një lokal në Mitrovicë
Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për veprën penale ‘vjedhje e rëndë’. Rasti ishte raportuar me datën 14.09.2016, në stacionin policor ‘jugu’ në Mitrovicë, ku si cak i kësaj vjedhjeje ishte një dyqan privat në Mitrovicë, nga ku të dyshuarit, përmes thyerjes me forcë, kishin depërtuar brenda në lokalin dhe kishin vjedhë nëntë motorë sharra.
“Hetuesit policorë mbi dyshimet e ngritura dhe provat e siguruara me datën 19 shtator 2016 në Mitrovicë kanë identifikuar dhe kanë arrestuar dy të dyshuarit V. P. 29 vjeçar, dhe K. I. 17 vjeçar, për dyshime të bazuara për vepër penale ‘vjedhje e rënd’. Deri më tani hetuesit policorë kanë arritur që të gjejnë gjashtë motorë sharra të cilat i janë kthyer pronarit”, thuhet në komunikatën e policisë.
Dy të dyshuarve, pas procedurave intervistuese, nga ana e prokurorit të çështjes u është caktuar masa e ndalimit policor. Ndaj dy të dyshuarve është iniciuar procedurë për vepër penale ‘vjedhje e rëndë’./Insajderi.com