Arrestohen E.Dragusha dhe A. Leci, të dyshuar për grabitjet e armatosura në Prishtinë

Arrestohen E.Dragusha dhe A. Leci, të dyshuar për grabitjet e armatosura në Prishtinë

Policia e rajonit të Prishtinës ka ndërmarrë një aksion në shkallë të gjerë për kapjen e një grupi të grabitsëve.

“Njësitet policore të rajonit të Prishtinës në kuadër të intensifikimit të masave të marra në drejtim të garantimit të rendit dhe sigurisë publike, si dhe goditjes së individëve dhe grupeve kriminale, kanë organizuar punën e tyre me fokus të veçantë zbardhjen e veprave kriminale, identifikim dhe arrestimin e të dyshuarve të implikuar në ngjarjet kriminale”, njofton policia në një kumtesë për shtyp.

Bëhet e ditur se hetuesit e rajonit të Prishtinës i kanë dhënë përparësi luftës kundër kriminalitetit dhe veçanërisht disa shqetësimeve që kohët e fundit ka pasur komuniteti në lidhje me rastet e grabitjeve të ndodhura në markete, pompa derivatesh, institucione mikrofinanciare, motele, posta, etj. në zona të ndryshme të rajonit të Prishtinës.

“Hetuesit  rajonal në bashkëpunim me hetuesit e stacioneve policore të rajonit të Prishtinës, janë në vazhdimësi  të operacioneve  për kapjen e të dyshuarve për rastet e grabitjeve”, thuhet në kumtesë.

Një nga këto operacione të organizuara mirë, në drejtim të kapjes së personave, për të cilët dyshohej me bazë të jenë të përfshirë në disa raste të grabitjeve ka rezultuar me arrestimin e dy personave të dyshuar.

Gjithashtu lidhur me rastet e njëjta hetuesit kanë arrit të identifikojnë  edhe një person tjetër të dyshuar që aktualisht ndodhet në arrati.

Pjesë e operacionit ka qenë edhe  bastisja e shtëpive të të dyshuarve, ku policia ka arritur të gjejë dhe konfiskojë një veturë Golf IV ngjyrë e kaltër me targa vendore, (dyshohet të jetë përdorur në rastet në fjalë).

Po ashtu, policia ka konfiskuar një armë të gjatë AK47 së bashku me karikator dhe 10 fishekë, një qese e vogël me substancë narkotike marihuane, dy kartëmonedha të cilat dyshohet të jenë të falsifikuara, një telefon celular Samsung dhe një Ipad si dhe disa dëshmi të tjera që mund të lidhen me rastet.

Personat e dyshuar janë shtetasit kosovarë E.Dragusha (43 vjeç), dhe A. Leci (37 vjeç).

“Me urdhër të prokurorit pas intervistimit janë dërguar në qendrën e mbajtjes në Prishtinë, ku aktualisht hetuesit po kryejnë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore e procedurale lidhur me rastet në fjalë para se rastet t’i kalojnë gjykatës”, thuhet në kumtesën e policisë.