Policia

Arrestohen tre persona për kontrabandim të 24 migrantëve nga Siria

Arrestohen tre persona për kontrabandim të 24 migrantëve nga Siria

Janë arrestuar tre persona të dyshuar për kontrabandim me migrantë, ka njoftuar Policia e Kosovës me anë të një komunikate për media.

Sipas policisë, një njësi patrulluese gjatë orës 02:00 pas mesnate në pikën kufitare në Vërmicë, ka vërejtur një grup prej 24 personash me shtetësi siriane duke hyrë ilegalisht nga Shqipëria në Kosovë.

Përveç këtij grupi, policia ka vërejtur edhe dy automjete në të cilat ishin katër persona që dyshohet se ishin në pritje për kontrabandim të migrantëve.

Në lokacion policia ka bërë arrestimin e tre personave të dyshuar me ç’ rast u janë konfiskuar telefonat personalë, të cilët dyshohet se kanë përmbajtje të dëshmive që i implikon të dyshuarit në rast.

Gjithashtu është bërë sekuestrimi i dy automjeteve me të cilat është tentuar që të kryhet kontrabandimi me migrantë.

Në konsultim me prokurorin kompetent, tre të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa i dyshuari i katërt është në kërkim./Insajderi.com