
Policia e Kosovës ka zhvilluar një hetim disamujor, i cili ka rezultuar me arrestimin e tre personave, nën dyshimin e bazuar për kryerjen e veprave penale ‘trafikim me njerëz’ dhe ‘shërbime seksuale të trafikimit’.
Lidhur me këtë rast janë arrestuar F. P. (1988), L. K. (1989), K. R. (1990).
“E dyshuara e parë e arrestuar dyshohet të ketë kryer veprën penale ‘trafikim me njerëz’, neni 171, kurse dy të dyshuarit e arrestuar dyshohet ta kenë kryer veprën penale ‘shërbime seksuale të trafikimit’, neni 231”, thuhet në njoftimin e policisë.
Me këtë rast policia thotë se janë identifikuar edhe dy viktima të trafikimit, të cilat pas intervistimit janë trajtuar në bazë të procedurave të parapara për viktimat e trafikimit.
Lidhur me rastin me vendim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë të dyshuarit dërgohen në mbajtje për 48 orë./Insajderi.com