Arrestohen katër persona për vdekjen e Arbenita Spahiut

Arrestohen katër persona për vdekjen e Arbenita Spahiut

Tre gjinekologë dhe një mami janë arrestuar për shkak të mos trajtimit të duhur profesional në rastin e Arbenita Spahiut e cila gjeti vdekjen pas lindjes së fëmiut të parë, në spitalin rajonal të Gjilanit.

Mexhide Shaqiri e Hamide Zeqiri janë arrestuar nga Policia e Kosovës dhe vazhdojnë të jenë në mbajtje, kurse Nexhat Sherifi është liruar pasi është marrë në pyetje.  Po ashtu, edhe një mami e arrestuar është liruar pas intervistimit.

Lajmin për Insajderin e ka konfirmuar Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë për Rajonin e Gjilanit, i cili tha se arrestimi i tyre ka ndodhur mbrëmë rreth orës 21.

“Personat janë arrestuar për shkak të trajtimit të pandërgjegjshëm mjekësor,” ka thënë Hashani.

Në anën tjetër, prokurori i rastit, Arben Ismajli, tha për Insajderin se arrestimi i mjekëve erdhi pasi ekspertiza ka konstatuar se ka pasur vonesa në dhënien e ndihmës në rastin e Arbenita Spahiut e cila vdiq dy orë pas lindjes.

“Kemi raportin preliminar të dalë nga mjekësia ligjore, që e argumenton dhe thuhet se e ndjera ka pasur shok hemorragjik. Ne jemi duke i vërtetuar veprimet e mjekëve se kanë vepruar me kohë për të marrë masat e nevojshme”, theksoi Ismajli.

Sipas prokurorit të rastit Arben Ismajli, faza e intervistimit si të mjekëve ashtu edhe të dëshmitarëve do të vazhdohet edhe sot, ku sipas tij pos gjinekologëve të lartcekur është intervistuar edhe mamia me emrin Bedrije dhe pas marrjes së dëshmisë edhe ajo është liruar..

Arbenita Spahiu kishte vdekur më 3 mars të këtij viti vetëm dy orë pasi që kishte lindur./Insajderi.com