Arrestohet një polic dhe tre të dyshuar të tjerë

Arrestohet një polic dhe tre të dyshuar të tjerë

Inspektorati Policor i Kosovës rreth dy muaj më parë kishte pranuar informacione përmes rrugëve operative se një zyrtar policor në Gjakovë mund të jetë i përfshirë në aktivitete të kundërligjshme.

Sipas IPK-së, bazuar në këto informacione, hetuesit e këtij inspektorati, në koordinim me prokurorin kompetent, filluan të ndërmarrin veprime hetimore/operative duke përfshirë edhe masat e fshehta të hetimit ndaj zyrtarit policor.

Në komunikaten e IKP-së, tutje thuhet se të arrestuarve në këtë rast, nga IPK me vendim të prokurorit u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

“Bazuar në dëshmitë dhe provat e mbledhura si dhe bazuar në urdhrin e Gjykatës Themelore në Gjakovë, mbrëmë është realizuar operacioni i cili rezultoi me arrestimin e një zyrtari policor dhe tre qytetarëve me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”. Në vazhdën e veprimeve hetimore, operacioni ka vazhduar me bastisje në Gjakovë ku janë gjetur dhe sekuestruar prova të ndryshme. Të arrestuarve në këtë rast nga Inspektorati Policor me vendim të prokurorit u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës”, thuhet në komunikatën e IKP-së. /Insajderi.com/