Deputetët në Kongresin amerikan të cilët po marrin pjesë në negociata rreth buxhetit dhe financimin e sigurimit të kufijve, kanë deklaruar se të hënën kanë arrit marrëveshje parimore në mënyrë që të përpiqen ta pengojnë bllokadën e re të qeverisë, mirëpo ajo nuk përmban 5,7 miliardë dollarë të kërkuara për ndërtimin e murit përgjatë kufirit me Meksikën.

“Kemi arrit marrëveshje parimore për financimin e programit të sigurisë së kufijve deri në 30 shator. Zyra jonë do të punojë shumë në sqarimin e çdo detaji”, i ka thënë gazetarëve senatori republikan Richard Shelby.
Shelby nuk ka thënë se a do të fitojë presidenti Donald Trump mjetet e kërkuara për ndërtimin e murit në kufi me Meksikën.
Një burim anonim në Kongresin amerikan ka zbuluar se me marrëveshje janë lejuar 1,37 miliardë dollarë për ndërtimin e gardhit të ri përgjatë kufirit jugor të SHBA. Kjo është përafërsisht njëjtë me atë sa ka lejuar Kongresi vitin e kaluar dhe shumë më pak prej asaj sa ka kërkuar Trump.
Sipas burimit të njëjtë, mjetet nuk janë të dedikuara për ndërtimin e “murit” të cilin Trump po e paralajmëron prejse ka hyrë në fushatë për zgjedhje presidenciale në vitin 2016.
Në pyetje se a e ka nënshkruar Trump marrëveshjen, Shelby ka theksuar se “negociatorët gjatë gjithë kohës bisedojnë me përfaqësuesit të Shtëpisë së Bardhë”, dhe se shpreson dhe beson se presidenti mund ta përkrahë marrëveshjen./Insajderi.com.