Arrihet marrëveshje për nënshtetësinë

Arrihet marrëveshje për nënshtetësinë

Edhe pse përfundimisht arritën marrëveshje lidhur me shtetësinë,  kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev dhe liderët e opozitës shqiptare në këtë vend fqinj, Ziadin Sela dhe Afrim Gashi, në pres konferencë nuk deshën të shpalosin detaje nga marrëveshja e arritur.
Nën pretekstin se së pari marrëveshja të nxirret në letër dhe më pas do të mund të ndajnë informata edhe me opinionin, Zaevi tha se momentalisht, kaq informata mund të japë.“Mbaroi edhe takimi i sotëm, besoj se kemi arritur marrëveshje.
Ajo për të cilën u morëm vesh është se do ta vëmë në letër, meqë ka edhe formulime juridike, ndërsa më pas do t’i bëjmë publike të gjitha detajet edhe për opinionin”, tha pas takimit, kryeministri Zoran Zaev. 
Ai mes tjerash tha se pret brenda një dite apo dy, propozuesit e ligjit t’i shqyrtojnë gjitha nenet dhe më pas ligjin ta dorëzojnë në Qeveri për miratim. Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, u shpreh se janë në rrugë të mbarë për t’i dhënë fund problemit me shtetësinë. Sipas Selës përmes marrëveshjes parashikohet që të gjithë qytetarët që kanë lindur dhe jetuar mbi 30 vjet në Republikën e Maqedonisë së Veriut të mund të pajisen me shtetësi.
“Jemi në rrugë të mbarë për të arritur marrëveshje,. Por do duhet edhe njëherë t’i rishqyrtojmë të gjitha pikat e ligjit që të kemi një variant final, të cilin do tua japim edhe mediave. Përmes këtij ligji ne synojmë që të gjithë qytetarëve që kanë jetuar nga 30 vite e me tepër në Maqedoni të mos ngelin pa shtetësi. Jemi në rrugë të mbarë në drejtim të zgjedhjes së kësaj problematike”, tha Sela njofton Insajderi.
Edhe ai për fund tha se do t’i rishqyrtojnë nenet e ligjit dhe në fillimin e javës do të dalin me tekstin final për ligjin për shtetësinë ku dhe opinioni do të njoftohet për gjitha çështjet e dakorduara.Insajderi. /Insajderi.com