Gjithsej në SHBA janë raportuar deri tani rreth 100 raste infektimi me" />

Arrin në 6 numri i të vdekurve nga koronavirusi në SHBA

Në SHBA, katër njerëz të tjerë kanë vdekur nga koronavirusi në shtetin veriperëndimor të Uashingtonit, duke e çuar në gjashtë numrin e vdekjeve në të gjithë vendin, thanë të hënën zyrtarë amerikanë të shëndetësisë.

Arrin në 6 numri i të vdekurve nga koronavirusi në SHBA

Gjithsej në SHBA janë raportuar deri tani rreth 100 raste infektimi me koronavirus.

Presidenti Donald Trump pritet të takohet me drejtuesit e industrisë farmaceutike. Takimi ishte planifikuar qysh më parë për të diskutuar mbi çmimet e barnave, por tani fokusi do të jetë koronavirusi. Në mbledhje marrin pjesë Zëvendës Presidenti Mike Pence dhe anëtarët e grupit të tij të punës për koronavirusin.

“Bëhet fjalë për një vaksinë, mbase edhe një kurë,” u tha Presidenti Trump gazetarëve.

Numri i vdekjeve nga koronavirusi në të gjithë botën u rrit në mbi 3,000 ndërsa numri i personave të konfirmuar me koronavirus në gati 90,000.

ITALIA, VENDI MË I PREKUR NË EVROPË

Në Itali, numri i vdekjeve nga koronavirusi u rrit të hënën në 52 nga 34 që ishte një ditë më parë. Ndërkaq, numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara në Itali, vendi më i prekur i Evropës, e kaloi shifrën 2 mijë.

Rritja e vdekjeve ishte më e madhja që nga shpërthimi i virusit që u shfaq 10 ditë më parë në rajonet e pasura veriore të Lombardisë dhe Venetos.

Lombardia, e cila përfshin kryeqytetin financiar të Italisë, Milanon, ka marrë deri tani goditjen më të fortë, me 38 viktima.

NË VENDE TË TJERA

Koreja e Jugut njoftoi për 600 raste të reja të hënën, ndërsa kreu i një grupi fetar që ka lidhje me shumicën e rasteve në atë vend, Lee Man-hee tha se kisha e tij po bashkëpunonte me qeverinë për të parandaluar përhapjen e mëtejshme.

“I kërkoj ndjesë popullit si përfaqësues i Kishës Shincheonji. Nuk ishte e qëllimshme por shumë pacientë janë infektuar”, tha ai.

Zyrtarët u kanë kërkuar prokurorëve që të shqyrtojnë mundësinë e akuzave për vrasje kundër udhëheqjes së grupit, pasi nuk kishte bashkëpunuar me përpjekjet e qeverisë për të ndalur përhapjen e virusit.

Presidenti amerikan, Donald Trump pritet të takohet me nënpresidentin Mike Pence, që po drejton përpjekjet e administratës kundër sëmundjes, si edhe drejtues të kompanive farmaceutike.

Në Shtetet e Bashkuara zyrtarët e shëndetësisë thanë se virusi mund të ketë qenë i pranishëm dhe nuk është diktuar në komunitet, për javë të tëra. Guvernatori i Nju Jorkut Andrew Cuomo, njoftoi për rastin e parë në këtë shtet.

Të hënën u njoftuan dy rastet e para në Indonezi që zyrtarët e shëndetësisë thonë se e kishin burimin nga një shtetas japonez i prekur nga virusi.

Rastet janë konfirmuar në të paktën 60 vende dhe virusi ka infektuar mbi 89 mijë vetë që kur u shfaq në dhjetor.

Italia është vendi që është goditur më rëndë në Evropë dhe të dielën numri i rasteve arriti në rreth 1,700. Zyrtarët parashikojnë që ky numër të rritet.

Po të dielën muzeu i Luvrit në Paris mbylli dyert për vizitorët pasi personeli i tij vendosi përmes sindikatës që e përfaqëson që të mos punojë për shkak të frikës nga koronavirusi. Franca njoftoi për dy persona të tjerë që kanë humbur jetën, duke e çuar në katër numrin e viktimave në këtë vend.

Në Britani, kryeministri Boris Johnson tha se gjasat janë që virusi të përhapet në vend.

“Mendoj se është shumë e rëndësishme të theksojmë se ky është një problem që mendoj se do të rëndohet në këtë vend në ditët dhe javët e ardhshme, prandaj ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet për ta përballuar”, tha ai./voa.