Arrin pjesa e dytë e kontingjentit të automjeteve të blinduara të blera nga SHBA

Arrin pjesa e dytë e kontingjentit të automjeteve të blinduara të blera nga SHBA

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Rrahman Rama, ka konfirmuar se në Kosovë, të shtunën ka arritur një kontigjent me automjete të blinduara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për FSK-në.

Siç bën të ditur ai, arritja e këtij kontingjenti ka të bëjë me një kontratë që Kosova e nënshkruar me SHBA-në vitin e kaluar, duke shtuar se blerja e automjeteve të blinduara është bërë me buxhetin e Kosovës.

“Është pjesa e dytë e kontingjentit që ka ardhur. Javën e kaluar ka ardhur një pjesë dhe tani është kompletuar. Bëhet fjalë për automjete të blinduara, tipit Humvee nga SHBA-ja”, tha Rama për REL.

Gjenerallejtënant Rama, megjithatë tha se numri dhe kostoja e automjeteve tash për tash është informacion i klasifikuar, por shtoi se për këtë gjë mund të flitet në të ardhmen. Ai tha se mund të priten edhe kontrata të tjera me SHBA-në.

“Realisht, kjo është kontratë e klasifikuar. Mbi bazën e nevojave do të vazhdojmë edhe në të ardhmen. Në të gjitha kontratat i kemi me SHBA-në edhe për sistem të armatimit edhe për këto automjete taktike. Edhe vitin e ardhshëm do t’i kemi (kontratat) tjera”, tha Rama.

Rama shtoi se vitin e kaluar Kosova ka marrë si donacion 27 automjete ushtarake të njëjta (Humvee) nga SHBA-ja, kurse para dy vjetësh është realizuar edhe një blerje prej 24 automjetesh. /Insajderi.com/