
Arsenal, sipas “Sunday Express”, vazhdojnë të këmbëngulin për Massimiliano Allegri-n. E përditshmja britanike ka folur për “kontakte të shpeshta”, mes drejtuesve të klubit londinez dhe menaxherëve të trajnerit të Juventus.
Një situatë kjo që duket se po vazhdon prej disa muajsh, por që, gjithmonë sipas “Express”, nuk ka çuar te asnjë hap përpara: “Marrëveshja nuk është gjetur akoma”, ka shkruar gazeta angleze.
Pavarësisht përgënjeshtrimeve të vazhdueshme nga ana e vetë Allegri-t, zërat në lidhje me një negociatë mes tij dhe “Topçinjve” nuk po largohen.
Arsenal është në kërkim të një zëvendësuesi për Arsene Wenger, i cili drejton skuadrën nga 1996-ta dhe kontrata e të cilit skadon në fundin e këtij sezoni. Ndërsa italiani, tek Juventus që nga 2014-ta, ka rinovuar kontratën e tij me bardhezinjtë deri në qershorin e 2018-ës.
Marotta, drejtori i përgjithshëm, ka thënë më shumë se një herë se Allegri do të qëndrojë tek Juventus, por në Angli nuk heqin dorë dhe kanë zbuluar edhe afatin që duket se Arsenal i ka dhënë Allegri-t. Në fakt, sipas shtypit anglez, tekniku duhet të japë një përgjigje brenda marsit.