Arsyeja që Gjykata Supreme shpalli të pafajshëm dhunuesit e Vasfijes

Mënyra e identifikimit të të akuzuarve për përdhunimin e Vasfije Krasniqit është bërë shkak që dy serbët e akuzuar të shpallën ta pafajshëm nga Gjykata Supreme e Kosovës.

Arsyeja që Gjykata Supreme shpalli të pafajshëm dhunuesit e Vasfijes

Vasfije Krasniqi e cila u përdhunua gjatë luftës së fundit në Kosovë si 16-vjeçare nuk ka arritur ende që kryesit e krimit t’i sheh teksa dënohen. Dy policë të regjimit të Sllobodan Millosheviqit e kishin përdhunuar atë.

Por askush nuk ishte dënuar. Jovica Dejanoviq dhe Gjrgje Bojkoviq ishin akuzuar për përdhunimin Vasfijes. Të dy ishin shpallur të pafajshëm nga Gjykata Supreme e Kosovës.

Gjykata kishte arritur në konkluzion se Vasfija ishte përdhunuar, por nuk kishte arritur ta vërtetojë se krimin e kishin kryer Jovica Dejanoviq dhe Gjrgje Bojkoviq.

Në aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Kosovës që ka siguruar Gazeta Online Insajderi, thuhet se në mungesë të fakteve se Dejanoviq dhe Bojkoviq kanë kryer krimin, ata ishin shpallur të pafajshëm.

Trupi gjykues që kishte qenë i përzier në përbërje të saj kishte pasur, gjyqtaren e Supremes, Nesrin Lushta dhe dy gjyqtarë të EULEX-it, Esma Erterzi dhe Ëillem Brouëer.

Në aktvendimin e këtij trupi gjykues thuhet se ndaj dy të akuzuarve nuk ka ndonjë fakt që e dëshmojnë përfshirjen e tyre në këtë rast.

“Duke e marr parasysh se identifikim i autorëve të krimit nuk ishte bërë në mënyrë të duhur dhe duke e konsideruar mungesën e dëshmive shtesë të cilat i vërtetojnë deklaratat e palës së dëmtuar dhe të dëshmitarëve, Gjykata Supreme e Kosovës është e mendimit se akuzat kundër të pandehurve nuk janë vërtetuar përtej ndonjë dyshimi të arsyeshëm, sikurse që kërkohet me Ligj”, thuhet në aktvendim të Gjykatës Supreme.

Vasfije Krasniqi në deklaratë dhënë për UNMIK-ut, kishte thënë se më 14 prill të vitit 1999 në shtëpinë e saj kishin shkuar dy policë serbë. Kishte thënë se për herë të parë e kishte parë atë njeri nga forcat policore.

Ajo e kishte përshkruar dhunuesin e parë me flokët të shkurta dhe me ngjyrë të zezë. Kishte thënë se ishte i dobët dhe në dorën e djathtë kishte mbështjell me fasha.

“Pala e dëmtuar, V.K. në deklaratën dhënë në UNMIK, ka thënë se ‘më 14 prill 1999, në shtëpinë time erdhi zyrtari i policisë serbe. Atë ditë e pash atë njeri për herë të parë. Gjatë dhunimit ai mbante pushkën e tij automatike në fytin tim. Viktima e përshkruan dhunuesin e parë si të gjatë, me flokë të shkurtër të zinj, ngjyra e syve ishte e gjelbër-kafe, ishte i dobët, dhe dora e djathtë ishte e mbështjellë me fasha’”, thuhet në aktgjykim për deklaratën e Krasniqit, raporton Insajderi.

Ndërsa ajo përdhunuesin e dytë e përshkoi, se kishte peshë mesatare me flokë të zeza dhe pak tullac. Shtonë se kishte edhe mjekër.

“Ajo e përshkroi dhunuesin e dytë si, ‘civil, kishte të veshura xhins të kaltra dhe xhaketë ngjyrë kafe, ishte i gjatësisë mesatare, me peshë mesatare, nuk më kujtohet ngjyra e syve të tij, me flokë të zinjë, ishte pak tullac dhe kishte mjekër’. Deri sa ata e kthenin atë në shtëpi, ajo deklaron se ‘dy personat flisnin gjuhën serbe me njëri tjetrin , ndërsa me mua zyrtari i policisë fliste në gjuhën shqipe’”, thuhet më tej.

Njëjtë, Krasniqi sipas aktakuzës në deklaratën e saj më 24 gusht 2010 e përshkruan autorin e krimit si, “një njeri me uniformë të policisë, me ngjyrë të kaltër të mbyllur dhe me një lloj shenje në mëngët e tij të këmishës që tregonin se ai ishte polic serb. Zyrtari kishte mitraloz dhe thikë që ishte e dukshme dhe mendoj se ishte AK 47, ai ishte i gjatë rreth 1.75 – 1.80 cm, me flokë të shkurtra të mbyllura, me lëkur ngjyrë mesatare , ishte i lënduar dhe dorën e majtë e kishte të mbështjellë me fasha, i ndërtuar mesatarisht, i dobët, mosha 29 – 35 vjeçare, ai fliste serbisht”.

Thotë se dhunuesi tjetër ishte “një njeri i vjetër, ndoshta rreth 60 – 70 vjeçar.

“Njeriu fliste gjuhën shqipe, por ajo mendon se ai ishte serb, duke çaluar pak, ai ishte jo shumë i gjatë, në mes 1.67 – 1.71 cm, duke folur gjuhën shqipe, por jo si gjuhë të tij amtare”, thuhet më tej në deklarimin e saj.

Përshkrimi i dytë i Krasniqit për përdhunuesit

Vasfije Krasniqi kishte dhënë edhe një përshkrim të dytë të dy përdhunuesve të saj në korrik të vitit 2012.

Ajo në deklaratën e saj kishte dhënë më shumë informacione rreth pamjes së tyre. Ajo përdhunuesin e parë e kishte përshkruar nga 27 deri 33 vjeç ndërsa përdhunuesin e dytë e kishte përshkruar nga 50 deri në 60 vjeçar.

Kishte thënë se përdhunuesi i dytë ishte me trup i shëndoshë.

“Për më shumë, pala e dëmtuar V.K. në deklaratën e saj të datës 17 korrik 2012 e përshkruan dhunuesin e parë si “175 – 180 cm të gjatë, ai ishte i dobët, dhe kishte tipare të errët dhe flokë të zinj të shkurtër, ai kishte të veshur uniformë kamuflazhe të policisë me simbol në krahun e tij të shkruar ‘Milicija’”.

“’Ai kishte dorën e majtë të tij të mbështjellë me fasho, ishte i moshës rreth 27 – 33 vjeçe, kishte një pushkë automatike me kondak të drurit , në brezin e tij kishte një thikë të gjatë të pushkës automatike, dhe ai fliste pak gjuhën shqipe’. Pala e dëmtuar, V.K. e përshkruan dhunuesin e dytë si, ‘ai ishte rreth 50 – 60 vjeçar, ai kishte një trup i shëndoshë, flokët e tij kishin gjatësi mesatare me ngjyrë gri, ishte rreth 165 – 170 cm i gjatë dhe çalonte me njërën këmbë, dhe ai fliste gjuhën shqipe dhe kishte armë në brezin e tij’, thuhet më tej në deklaratën e saj.

Dëshmitarja që e kishte takuar përdhunuesin me uniformë të Policisë së Kosovës

Në Gjykatën Supreme kishte dëshmuar M.K që në atë kohë kishte qenë vetëm 11-vjeç. Ajo në deklaratën e saj kishte përshkruar njërin prej përdhunuesve, me madhësi mesatare dhe me flokë të zeza dhe të shkurtra.

Ajo kishte deklaruar se kishte qenë 4 apo 5 metra larg tij. Kujtimet e saj për përdhunuesin e Vasfijes i ishin rikthyer asaj në vitin 2010. Ajo kishte deklaruar se e kishte parë të njëjtin person me uniformë të Policisë së Kosovës.

“Unë isha shumë e re në atë kohë dhe mendoj se ishte njeri i gjatë, me ndërtim mesatar , me flokë të zinj të shkurtër. Nuk më kujtohet ngjyra e syve të tij edhe pse isha 4-5 metra larg tij. Nuk më kujtohet ndonjë gjë tjetër për të, por mendoj se ai ishte rreth 30 vjeçar”.

Ajo vazhdojë më tutje: “Mendoj se e kam parë atë në vitin 2010, në fshatin, X, në dyqanin e Rr. M.. Ai blinte ca gjëra. Më dukej i njohshëm, por nuk e dëgjova që të fliste gjuhën serbe. Mendova se ai ishte që e kishte marr V. K.. Unë isha e befasuar kur e pash atë të ketë veshur uniformën e Policisë së Kosovës”, ka deklaruar ajo, shkruan Insadjeri.

Në fund Gjykata Supreme kishte shpallur të pafajshëm dy të akuzuarit për shkak mos identifikimit të tyre.

“Në rastin në fjalë, Gjykata Supreme e Kosovës gjen se identifikimi nuk është bërë në pajtim me dispozitat e KPPK-së. Sa i përket të pandehurit të parë, është evidente se nga tetë fotografitë e treguara tek pala e dëmtuar dhe tek dëshmitarët e rastit, vetëm një fotografi, e J. D. ishte shënjuar, kështu duke e ngritur shqetësimin se pala e dëmtuar dhe dëshmitarët ndoshta janë udhëzuar në identifikimin e kryerësit të veprës penale”.

“Sa i përket të pandehurit të dytë, fotografitë e treguara tek pala e dëmtuar përmbanin pamje të personave të rinj dhe vetëm një fotografi tregonte Gj. B. në pamjen e një personi të vjetër që përkonte me deklaratën e palës së dëmtuar, se dhunuesi i dytë ishte një person i vjetër”, thuhet më tej në aktgjykimin./Insajderi.com