Arsyet se pse duhet përfunduar diskutimet mbi privatizimin  e Distribucionit

Arsyet se pse duhet përfunduar diskutimet mbi privatizimin  e Distribucionit

Diskutimet mbi privatizimin e Distribucionit duhen përfunduar, kemi nevojë për diskutime më të rëndësishme për zhvillimin e sektorit të energjisë. Nuk është i saktë pohimi se Qeveria ka falur hidrocentrale dhe se KEDS-i ka përfituar nga kjo. Hidrocentralet ishin të amortizuara.

Duke qenë se jemi një shtet i ri dhe nuk i kuptojmë ende mirë qëllimet e të gjitha institucioneve, kohëve të fundit ka patur shumë përzierje të kompetencave të një sërë institucionesh në sektorin e energjisë. Secili institucion është krijuar për t’i shërbyer një qëllimi më të madh, e ai qëllim është krijimi i një shteti në të cilin të gjitha institucionet punojnë së bashku për përmirësimin e jetës së qytetarëve. Për këtë qëllim, kushtetuta jonë ka përcaktuar detyrat e të gjitha këtyre institucioneve, ashtu sikurse edhe kufijtë e përgjegjësive të tyre. Ku fillojnë dhe ku mbarojnë kompetencat e një institucioni si Rregullatori (apo ZRRE), Qeveria, apo Gjyqësori në sektorin e energjisë është një çështje tejet e komplikuar dhe nëse ka përzierje të kompetencave, veçanërisht në sektorin e energjisë, mund të ketë pasoja afatagjata për të gjithë shtetin tonë.

Në sektor të energjisë rregullatorët kanë kompetenca të zgjeruara

ZRRE, si institucion kushtetues, rolin e vet më të rëndësishëm e ka në balancimin e interesave të të gjithë konsumatorëve të energjisë elektrike me interesat  e sektorit privat. Vetëm institucionet e profesionalizuara si Rregullatorët e pavarur mund t’i bëjnë ballë presionit që krijohet nga sektori privat. Në sektorin e energjisë, Qeveria ka rol shumë të limituar në implementimin e politikave apo ligjeve, sepse roli ekzekutiv i saj është bartur përmes ligjeve tek Rregullatori i Energjisë. Ligjet e Energjisë nuk mund të implementohen pa aprovimin e Rregulloreve dhe Vendimeve relevante nga Rregullatori. Sikurse roli i Qeverisë, edhe roli i Gjyqësorit është i kufizuar në sektorin e energjisë dhe kjo përbën pjesën më të vështirë për t’u kuptuar. Roli i Gjyqësorit është i kufizuar sepse sipas ligjeve të sektorit të energjisë, Rregullatori ka kompetenca dhe autorizime shumë të gjëra sa i përket çështjeve të energjisë. Fuqia e ZRRE-së tregohet sidomos kur kompanitë në sektor ndërmarrin veprime kundër interesit të publikut. Për shkak se çështjet e energjisë janë komplekse, është pikërisht ZRRE e cila duhet së pari të analizojë dhe të konstatojë nëse interesi i publikut është dëmtuar.

Sipas Ligjeve të Energjisë, Rregullatori është realisht dhe praktikisht shkalla e parë e Gjyqësorit. Si shembull, nëse KEK-u dhe KEDS kanë probleme mes tyre, fillimisht duhet të fillojnë procedurat e ankesës në ZRRE dhe më tej ZRRE lëshon Vendim mbi çështjen në fjalë. Nëse ndonjëra nga palët mbetet e pakënaqur, atëhere e apelon Vendimin e ZRRE-së. Edhe pse palët kanë mospajtime në mes tyre, për shkak të Vendimit të ZRRE-së, në procese Gjyqësore, ZRRE paraqitet si palë e paditur. Pavarësisht se Ligji i Rregullatorit e bën të qartë se Vendimet e ZRRE-së janë të ekzekutueshme, dhe poashtu duke marrë parasysh së Rregullatori nuk ka humbur as edhe një rast të vetëm, gjykatat ende vendosin masa pezulluese kundër vendimeve të ZRRE-së.

Përzierja e kompetencave në sektorin e energjisë dëmton sektorin rëndë

Për të qenë diqka në kundërshtim me ligjin duhet të jetë në kundërshtim me Rregulloret e ZRRE-së, e deri më tani ZRRE gjithmonë ka marrë vendime duke i’u përmbajtur vetëm Rregulloreve të veta. Mënyra e vetme sipas mendimit tim kur ZRRE do të humbë raste në Gjykatë është kur për shkak të presioneve të publikut, edhe ZRRE merr Vendime kundër Rregulloreve të veta. Një rast i tillë janë edhe humbjet në veri të Kosovës, për të cilat kam shkruar më detajisht, por duke patur parasysh se Ligjet e Energjisë dhe Rregulloret e ZRRE-së lejojnë humbjet në Veri, dhe për shkak te Vendimit të gjykatës për pezullim, e bën pothuajse të pamundur edhe çdo Vendim tarifor të arsyeshëm për KOSTT-in.

Në situatë të tillë, Bordi duhet të ndryshojë së pari Rregulloren e të largojë humbjet nga Rregullorja, e pastaj dhe vetëm pastaj mund të marrë Vendime tarifore për KOSTT-in. Por problemi qëndron se Rregullorja nuk mund të ndryshohet për sa kohë nuk gjendet një zgjidhje, sepse ashtu si dhe në rastet e tjera, edhe në këtë rast Gjykata do t’i japë të drejtë ZRRE-së në kohën kur bëhet shqyrtimi kryesor i lëndës. Nëse gjykata do të vendoste për herë të parë kundër Vendimit të ZRRE-së, ZRRE-ja do ta përdorte këtë Vendim për të detyruar Qeverinë të paguajë për këto humbje, por prapë dikush duhet të sigurojë se KOSTT ka mjete të mjaftueshme për të funksionuar. Por në asnjë mënyrë sipas Ligjeve dhe Rregulloreve të ZRRE-së nuk mund të harrohet se ZRRE ka mandat ligjor të sigurojë se dikush duhet ta paguajë atë faturë.

Siç u tha edhe më herët, roli kryesor i Rregullatorit është të sigurojë balancimin e interesave të ndryshme në sektor dhe funksionimin e të gjitha palëve në kuadër të Rregullave të ZRRE-së. Reformat e sistemit energjetik kane qenë shumë të thella dhe gjithëpërfshirëse dhe çdo kontratë apo marrëveshje e nënshkruar në të kaluarën ka marrë për bazë edhe Ligje të ndryshme në të kaluarën. Në këtë situatë, me çdo aprovim të Ligjeve të reja në 2010 dhe 2016 edhe korniza Rregullative e sektorit të energjsë ka ndryshuar. E gjitha kjo krijon një kompleksitet edhe më të madh sidomos për konstatimin nëse dikush qëllimisht ka shkelur parimet e legjislacionit në të kaluarën. Prandaj sipas legjislacionit, ZRRE poashtu ka fuqi të plotë të hetojë çdo dëmtim të mundshëm të interesit të publikut në sektorin e energjisë sikurse prokuroria dhe ka fuqi të plotë të nxjerrë Vendime sanksionuese, sikurse Gjykata, për të mbrojtur interesin e konsumatorëve. Nëse ZRRE apo Gjykatat konstatojnë se është bërë shkelje, atëherë ZRRE mund të veprojë për të siguruar se interesat e ndryshme janë përsëri në balancim.

Një shembull i mirë i përzierjes së kompentencave të institucioneve të ndryshme në sektorin e energjisë për të cilin është bërë zhurmë mediatike, është edhe rasti në lidhje me fillimin e hetimeve zyrtare mbi privatizimin e katër hidrocentraleve. Pavarësisht mendimeve pro apo kundër privatizimit, Qeveria e Kosovës dhe Kuvendi i Kosovës kanë vendosur të privatizohet pjesa e Distribucionit të energjisë në Kosovë. Mirëpo për shkak të mosnjohurive mbi reformat e sektorit të energjisë dhe për shkak të mosnjohurive bazike se si funksion sektori i energjisë, çdo problem i cili shfaqet në këtë sektor shoqërohet me energji të harxhuar në diskutime të kota rreth çështjeve të privatizimit. Edhe sikurse privatizimi i Distribucionit të rezultojë të jetë vendim i gabuar, është tërësisht Vendim politik dhe asnjë institucion tjetër, as ZRRE e as Prokuroria, nuk ka kompetenca të gjykojë këtë Vendim sepse është nën kompetenca direkte të Qeverisë. Paralajmërime për hetime të tilla janë bërë edhe për çështjen e pagesave të humbjeve në veri. Të paktën, këto paralajmërime kanë bërë të qartë se së pari, Gjykata duhet të konstatojë që Vendimi i ZRRE-së për humbje në veri mund të ketë qenë i gabuar. Por edhe sikurse të kishin gabuar anëtarët e Bordit të ZRRE-së për humbjet në veri, asnjë anëtar i Bordit nuk mund të gjykohet sepse ka marrë një Vendim për të cilin ai anëtar ka qenë i bindur në atë moment se është Vendim i duhur. ZRRE ka të drejtë të plotë të vendosë për këto çështje, dhe çdo hetim (qoftë edhe parlamentar) i paralajmëruar lidhur me çështjet e parametrave Rregullativ, si ai i humbjeve të lejuara në veri, duket më shumë sikur tentim për frikësimin e antarëve të bordit të tanishëm për të marrë vendime, gjë e cila nuk lejohet nga Legjislacioni. Çdo anëtar i Bordit të ZRRE-së ka përgjegjësi ligjore të vendosë vetëm sipas bindjes së tyre përderisa çështja nuk është ndryshe e specifikuar në legjislacion. Nuk mund të akuzohet një anëtar i Bordit të ZRRE-së, i cili ka marrë Vendim për humbjet në veri në vitin 2012, kur edhe tani pavarësisht gjithë këtij presioni publik, ende në vitin 2018 ZRRE prapë nuk ka ndonjë zgjidhje tjetër.

I njëjti parim vlen edhe për çështjen e privatizimit. Qeveria në këtë rast ka marrë Vendim kolektiv për të privatizuar dhe këtij Vendimi i kanë paraprirë edhe shumë strategji të aprovuara në Kuvend. Kjo do të thotë se edhe nëse Qeveria do të privatizonte të gjithë Gjenerimin e Kosovës (duke përfshirë termoelektranat e Kosovës A dhe B) në kuadër të Privatizimit me të njëjtin çmim, prapë të gjithë Ministrat, të cilët do të kishin marrë pjesë në këtë proces, vetëm do të ishin duke kryer përgjegjësitë e veta, të përcaktuara në Kushtetutën e Vendit. Nuk mundet as ZRRE, as Prokuroria e as Gjykatat të kenë kompetenca të vendosin kundër Vendimeve politike të Qeverisë. Privatizimi është Vendim politik i cili është pjesë e reformave legjislative në sektorin e energjisë, dhe kur kemi të bejmë me reforma të thella si ajo e energjisë, pavarësisht pasojave afatshkurtra, Qeveria vendos mbi këto reforma për shkak të benefiteve të mundshme në të ardhmen.

Sektori i energjisë është sektor i rregulluar publik

Qeveria ka te drejtë të plotë kushtetuese të vendosë për reforma dhe për të ardhmen e sektorit energjetik dhe të ardhmen e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Edhe nëse rezulton se këto reforma janë të gabuara, prapë Qeveria duhet të marrë Vendime të tjera për të përmirësuar gjendjen. Por në asnjë moment, përveç kur ka raste të keqpërdorimeve nga individë të ndryshëm, nuk ka ndonjë sens ligjor të akuzohet Qeveria për arsyeje se e kryen punën e vet sipas gjykimeve më të mira mbi çfarë drejtimi do të marrin reformat në sektorin e energjisë. Në rastin e privatizimit është marrë Vendim kolektiv së pari nga komisioni ndërministror e pastaj nga vetë Qeveria, dhe sikurse në rastin e Vendimit kolektiv të anëtarëve të bordit në ZRRE për humbjet në veri në vitin 2012, Ministrat nuk mund të fajësohen se kanë kryer detyrat e tyre kushtetuese. Nganjëherë mund të ndodhë se institucionet marrin edhe Vendime të këqija por përderisa nuk ka keqpërdorime për qëllime të përfitimit personal në marrjen e atyre Vendimeve, nuk mund t’i fajësojmë Ministrat apo anëtarët e Bordit të ZRRE-së për mendimet dhe gjykimet e tyre bazuar në dëshmitë të cilat i kanë patur në atë kohë.

Ka patur shumë diskutime në gjithë opinionin publik se Qeveria i ka “falë” të gjitha këto kilometra me tela, ndërtesën në qendër të qytetit, të gjitha ato toka dhe asete tjera të cilat i ka zotëruar Distribucioni. Por në realitet përmes Ligjeve të Energjisë, Qeveria vetëm ka dhënë të drejtën e shfrytëzimit të këtyre aseteve. Distribucioni i Energjisë Elektrike është monopol dhe do të mbetet monopol në të ardhmen dhe sipas Direktivave të BE, Kosova ka miratuar ligje mbi Rolin e Rregullatorit të cilit i ka dhënë fuqi gati të pakufizuara në mbrojtjen e interesave të konsumatorëve kundrejt këtij monopoli. Përmes Ligjeve të aprovuara, Qeveria dhe Kuvendi kanë sigurar se çdo moszbatim i çfarëdo Rregullore të ZRRE-së mund të ketë si pasojë edhe tërheqje të licencës.

Të gjitha Asetet e Distribucionit, të cilat rregullohen nga ZRRE, janë Asete Publike. Për shkak të Ligjeve të Energjisë, nuk ka rëndësi se kush i zotëron asetet e Distribucionit apo kush është operatori privat apo publik,  sepse në fund të gjitha ato Asete që paguhen nga konsumatorët përmes tarifave, edhe “zotërohen” prej tyre përmes kontrollit të ZRRE-së. Edhe pse Qeveria ka privatizuar  asetet e Distribucionit, çdo e hyrë nga shitja e aseteve në çfarëdo vlere edhe pse tani janë në pronësi të KEDS, duhet të kthehet tek Konsumatorët. ZRRE-ja i lejon Distribucionit fitim të kontrolluar dhe vetëm fitim të kontrolluar dhe çdo e hyrë tjetër menjëherë aplikohet në tarifa. Nëse kemi raste kur ndonjë përfitim nga asetet e Rregulluara, ku përfshihen të gjitha asetet e Distribucionit, nuk shpërndahet tek konsumatorët, atëherë duhet të kërkohet përgjegjësi nga ZRRE, prapë nga një institucion publik.

Duke patur parasysh atë që u tha më lart është për të ardhur keq kur dëgjon lajme se po hetohen një numër i madh i Ministrave të Kosovës në lidhje me çështje të privatizimit të Distribucionit. Këto Veprime të lënë përshtypjen e një sektori ku investimet e jashtme nuk janë të mirëpritura, kur faktikisht të gjitha institucionet e Kosovës janë duke punuar pandërprerë për të dëshmuar të kundërtën. E gjithë kjo ndodh sepse individë të ndryshëm për shkak të axhendave të ndryshme krijojnë huti e konfuzion për të arritur qëllimet e veta. Siç e thashë më herët, institucioni i ZRRE-së duhet të luajë një rol primar në përcaktimin nëse në sektorin e energjisë dikush ka dëmtuar interesat e publikut. Kjo çështje nuk do të duhej as të diskutohej sepse për shkak të kornizës legjislative të miratuar në Kosovë, interesi publik nuk është dëmtuar në këtë rast.

Hidrocentralet ishin plotësisht të amortizuara, Qeveria nuk i fali

Para se të jepeshin nën kontratën e koncensionit nga KEK-u, vlera e këtyre aseteve (hidrocentraleve) ka qenë plotësisht e amortizuar deri në atë masë sa edhe mund të ketë qenë jo funksionale. Për shkak se KEK-u nuk ka patur mjete për të rindërtuar Hidrocentralet, ka vendosur t’i japë nën koncesion këto ndërtesa dhe toka. Marrëveshja e koncesionit më shumë ka të bëjë me blerjen e energjisë nga këto 4 hidrocentrale, sesa me tokën apo ndërtesat ekzistuese që kanë qenë në gjendje jo-operative. Sipas legjislacionit të sotëm, toka në të cilën ndërtohen hidrocentralet përmes proceseve të Autorizimit, në shumicën e rasteve, është publike, mirëpo në çdo rast është dhënë nën shfrytëzim nëse ndonjë investitor privat ka patur dëshirë të ndërtojë një hidrocentral. Mos të harrojmë se sipas po të njëjtës marrëveshje, koncesionari i paguan edhe qira KEDS-it për ato pak asete, që kanë ekzistuar para investimeve të koncesionarit. Këto të hyra nga qiraja raportohen tek ZRRE dhe kthehen tek konsumatorët.

Pra, një numër i madh i Ministrave është duke u hetuar për shitjen e hidrocentraleve, por të gjithë disi harrojmë se ato hidrocentrale janë kontrata koncesioni. Këto hidrocentrale kanë leje dhe operojnë nën emërtimet juridike të tyre e jo të KEK apo KEDS. Prandaj, është edhe e kuptueshme kur Ministrat deklarojnë së asnjëherë nuk është diskutuar shitja e 4 hidrocentraleve, sepse mund të ketë ndodhur se këshilltarët ndërkombëtarë të transaksionit i kanë konsideruar këto kontrata më shumë si Obligime sesa si Asete. Vlera e tokës dhe vlera e një ndërtese është neglizhente në krahasim me komponentën elektrike të gjenerimit të energjisë të investuara nga koncesionari privat. Kontrata ka qenë obligim për blerjen e energjisë dhe prandaj mund të ketë ndodhur se kurrë nuk ka arritur të diskutohet si “aset”, sepse kurrë nuk është konsideruar si i tillë.

Mirëpo edhe po të ishin konsideruar si asete me vlerë të konsiderueshme monetare, pasi këto hidrocentrale të transferohen nga koncesionari privat tek KEDS, është ZRRE ajo që ka për detyrë të sigurojë së këto asete përdoren në të mirë të konsumatorëve të energjisë, pra për përfitim publik. Në këtë rast, “fajin” e ndajnë të gjithë “ekspertët” politik e jopolitik dhe të tjerë të cilët krijojnë konfuzion dhe normalisht është detyrë e Prokurorisë të dyshojë aty ku ka konfuzion. Duke qenë të vetëdijshëm së operojnë nën kornizë rregullative të tillë, edhe KEDS e ka shumë të qartë se këto asete nuk kanë asnjë vlerë për ata si kompani private. Nëse këto asete do t’i mbesin KEDS-it, atëherë KEDS duhet t’i paguajë koncesionarit amortizimin e mbetur dhe çdo përfitim nga shitja apo dhënia me qira apo operimi i këtyre aseteve pasi të bëhen pronë e KEDS-it, do të duhej të kontrollohej nga ZRRE.

Edhe nëse ekziston shumë konfuzitet dhe mosnjohuri për këto kontrata, institucionet e sektorit të energjisë duke përfshirë këtu kompanitë KEK dhe KEDS, e sidomos Qeverinë dhe ZRRE-në, nuk duhet në asnjë mënyrë të lejojnë që ky konfuzitet të vazhdohet. Duke patur parasysh se hetimet për privatizim kanë filluar prej një kohe të gjatë dhe duke patur parasysh se tashmë sipas lajmeve kanë filluar edhe hetimet zyrtare të cilat i japin imazh shumë negativ sektorit, është detyrë e secilit drejtues në institucione të bashkëpunojë për gjetjen e një zgjidhje. Zgjidhja më e mirë do të ishte nëse institucionet e shtetit do të bashkëpunonin me Prokurorinë për të shpjeguar se Privatizimi është vendim kolektiv i gjithë këtij Shteti, dhe se këto çështje janë vetëm  kompetencë e politikëbërjes së Qeverisë.

Qeveria mund të ktheje hidrocentralet, askush nuk do të ishte kundër

Mirëpo duke patur parasysh se këto hetime po zgjasin me vite dhe nuk janë ndalur, për shkak të gjithë kësaj zhurme që po krijohet, Qeveria duhet të fillojë diskutimet në mënyrë transparante se si të kthehen këto “asete” në KEK. Askush, as KEDS dhe as ZRRE nuk do të kundërshtonte një lëvizje të tillë nga KEK-u apo Qeveria.

Është e kuptueshme se marrëveshjet e sektorit të energjisë mund të interpretohen gabimisht herë me qëllim dhe herë pa qëllim, por para se t’i frikësojmë të gjithë investitorët e jashtëm të sektorit të energjisë me këto lloj hetimesh, duhet të sigurohemi nëse interesi publik është dëmtuar në sektor, apo jo. Për sa kohë Rregullatori kryen detyrën e tij primare në mbrojtjen e interesave të konsumatorëve, KEDS si kompani private asnjëherë nuk do të lejohet të ketë ndonjë përfitim nga këto 4 hidrocentrale.