Ministria e Drejtësisë e Serbisë nëpërmjet një deklarate të ministres, Nela Kuburoviç ka thënë se Kosova ka refuzuar të kryejë veprimet hetimore bashkë me Beogradin në lidh" />

Arsyetimi i Serbisë për mosbashkëpunimin në rastin e vrasjes së Ivanoviqit

Arsyetimi i Serbisë për mosbashkëpunimin në rastin e vrasjes së Ivanoviqit

Ministria e Drejtësisë e Serbisë nëpërmjet një deklarate të ministres, Nela Kuburoviç ka thënë se Kosova ka refuzuar të kryejë veprimet hetimore bashkë me Beogradin në lidhje me vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviç.

Ndërkohë, Zyra e Kryeprokurorit të Kosovës, përmes një njoftimi për media ka bërë sqarim rreth kësaj deklarate, duke mohuar deklaratën e ministres serbe, Kuburoviç.

“Prokuroria e Shtetit, pas rastit të ndodhur, i ka paraqitur disa kërkesa organeve kompetente të Republikës së Serbisë, për bashkëpunim juridik ndërkombëtar, por deri më tani kemi pranuar vetëm disa informacione, të cilat nuk janë thelbësore për ndriçimin e rastit, pasi ende nuk kemi marrë përgjigje lidhur me IMEI, SMS, hartografi, si dhe hyrje/dalje”, është thënë në njoftimin për media të Zyrës së Kryeprokurorit.

Më tej, në njoftimin e Kryeprokurorit të Shtetit është thënë se i pandehuri Millan Radoiçiç është intervistuar nga organet shtetërore të Serbisë, pa kërkesë të Prokurorisë së Shtetit të Republikës së Kosovës.

E në lidhje me këtë reagim përsëri është deklaruar ministrja e drejtësisë e Serbisë, Nela Kubroviç duke pretenduar se Serbia vazhdimisht i përgjigjet Kosovës në kërkesat e saj për rastin Ivanoviç.

“Prokuroria e Krimit të Organizuar paraqiti tri kërkesa për ndihmë të ndërsjellë juridike në Prishtinë – 16 janar, 26 janar dhe 14 shkurt. Edhe sot, 10 muaj pas parashtrimit të kërkesave, Prokuroria e Kosovës nuk iu përgjigj plotësisht por vetëm pjesërisht kërkesave të caktuara,” tha Kuburoviç, duke iu referuar njoftimit për media të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit të Kosovës.

Sipas Kuburoviç, Serbia është përgjigjur në të gjitha kërkesat e Prokurorisë së Shtetit të Kosovës në lidhje me bashkëpunimin për zbardhjen e rastit të vrasjes së Ivanoviqit.

“Duke marrë parasysh se një nga kërkesat e paraqitura nga Prishtina në Prokurorinë e Krimit të Organizuar në Beograd, përmbante shumë kërkesa të ndryshme që ishin të paqarta dhe të pasakta, ato janë ende në proces të trajtimit dhe së shpejti përgjigjet do t’i dorëzohen autoriteteve lokale,” tha Kuburoviç.

Kuburoviç gjithashtu theksoi se Serbia është e gatshme të përgjigjet vazhdimisht të gjitha kërkesave nga Kosova dhe se Serbia ka pritur tetë muaj për të marrë informacion për dëshmitë e kërkuara.

Lideri i SDP-së, Oliver Ivanoviç u vra më 16 janar të këtij viti para zyreve të partisë së tij në Mitrovicën e Veriut.