fbpx

Arsyetimi qesharak i Enver Pecit për takimin me një bandit bombash dhe vëllain e një krimineli të akuzuar

Arsyetimi qesharak i Enver Pecit për takimin me një bandit bombash dhe vëllain e një krimineli të akuzuar

Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Peci ka dhënë një arsyetim qesharak për takimin e sotëm të tij me Gent Qamilin i cili është i dyshuar për shkaktim të rrezikut të përgjigjthshëm dhe posedim të paautorizuar të armëve dhe Xhevat Bunjakun vëllain e të dyshuarit për falsifikim të parave, Fatmir Bunjaku.

Peci ka thënë për Gazetën Insajderi se takimi i tij me këta dy persona është si shenjë respekti pas një ndihme që i kanë dhënë në aeroportin e Cyrihut. Peci është shprehur se nuk e din se kush janë këta persona dhe për çfarë akuzohen.

“Jam kanë në Bruksel edhe jena kthy përmes Cyrihut rasisht e kam marr një kafe në banak aty në Aeroport tu prit edhe për rastësi një grua më ka prek në krah edhe mu ka derdh kafja në dorë në gishta edhe njani prej këtyre djemve ka vrapu edhe më ka ndihmu ma ka dhanë do mast edhe diçka edhe e kom ly dorën”, ka thënë Peci për Insajderin.

Peci ka treguar se i dyshuari Gent Qamili i kishte thënë se a mundet që ta vizitojë kryetarin Peci në zyrën e tij. Derisa gjatë vizitës Peci si shenjë falënderimi të dyshuarin sot e ka shpërblyer edhe me një mirënjohje shtetërore pas ndihmesës që ata i kishin dhënën.

“Tha a bon me ardh me të vizitu, po vi me një vizitë të shkurt se punojë në Zvicër, në shenjë mirënjohje i thash po se institucioni i gjykatës është i hapun edhe se di kush janë, as nuk kanë përmend land as diçka me dyshime absolut edhe veç për shkak të mirënjohjes një hartë të Kosovës që i kem si institucion i thash si shenj falënderimi”, është arsyetuar Peci.

“Unë nuk e di, as kush u kanë, as kah u kanë, ai ish kanë tu udhëtu prej Zvicrës edhe rasisht kam bisedu me to i kam thanë faleminderit i shprehja mirënjohje në kuptimin se më ndihmojë në momentin qysh më nodhi rasti se më ra kafja e nxehtë në dorë”, është shprehur Peci.

Ndaj Qamilit është ngritur aktakuzë pasi që dyshohet se më 28 korrik më 2013 në  tualetin e diskotekës “Stop” e cila gjendet në magjistralen Gjilan – Kamenicë, me dashje dhe në bashkëveprim, kanë tentuar të shkaktojnë rrezik të madh për jetën e njerëzve.

Qamili kishte marr një çantë nga Vali Corleone në të cilën gjendej një granatë dore e tipit “A1”, me ndezës dhe siguresë, dhe i jep instruksione që ta vendos në lokalin e diskotekës “Stop”, duke i premtuar kundër shpërblim shumën e të hollave prej 300 eurove, ia jep për ta blerë kartelën e telefonit.

Gent Qamili e kishte marr mjetin eksplodues nga i pandehuri Corleone, dhe e kishte vendos në tualetin e diskotekës “Stop”, vend ku kanë qenë të pranishëm numër i madh i njerëzve. Gent Qamili me numrin e telefonit e thërret policinë dhe i lajmëron se në diskotekën “Stop” ka bombë.

Ndërsa Xhevat Bunjaku është vëllai i Fatmir Bunjakut i cili është i akuzuar për falsifikim të parave në vlerë prej 1 milion dollarë.

I dyshuarit Fatmir Bunjaku kishte pranuar se ka pasur në pronësi nga data 11 shtator deri më datë 12 shtator të viti 2014 një shumë prej rreth një milion dollarë. Ai ka deklaruar se nuk ka ditur shumën e caktuar por se më pas e ka kuptuar kur një gjë e tillë i është konfirmuar nga Vigan Latifi në momentin e dërgimit të çantës.

I dyshuari Ramadan Latifi kisht thënë se paratë i ka dorëzuar Fatmir Bunjakut dhe se këto para i ka pranuar nga një person i quajtur Sherefedin nga Maqedonia i cili i ka sjellë nga Shkupi.

Policia gjatë vitit 2014 kishte konfiskuar një çantë e zezë me tetë paketime me nga 10 tuba me kartëmonedha në vlere 100, dy paketime me nga 10 tuba me kartëmonedha në vlerë 1 milion dollarë. /Insajderi.com