Artistët paralajmërojnë: Të premten uzurpojmë teatrin

Artistët paralajmërojnë: Të premten uzurpojmë teatrin

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit por dhe aktorë të njohur ishin sot në Komisionin e Edukimit dhe Mjetet e Informimit Publik për të thënë fjalën kundër projektligjit për marrëveshjen e qeverisë me firmën ndërtuese në zonën e teatrit.

Aktorët thonë se projektligji synon shkatërrimin e godinës së Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Kombëtar Eksperimental.

Përfaqësues i kësaj aleanca lexoi dhe një letër të hapur drejtuar presidentit Ilir Meta, Kryetarit të Kuvendit dhe krerëve të grupeve parlamentare.

Por në këtë komision nuk ishin të pranishëm deputetët e maxhorancës.

Artistët kërkojnë që Kuvendi të mos pranojë ligjin në Parlament në mënyrë që Ministria e Kulturës dhe Institucionet e tjera përgjegjëse të nisin punën për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme në interes të të gjithë grupeve të interesit dhe të interesit publik në tërësi.

Ata paralajmërojnë se nëse deri ditën e premte nuk kanë një reagim mbi këto kërkesa atëherë trupa teatrore, artistët, aktivistët, dhe qytetarë të lirë legjitimohen të uzurpojnë Teatrin Kombëtar dhe Teatrin Eksperimenta si të vetmen formë që zëri i tyre të dëgjohet.

“Me këtë hap ne e ndjejmë veten të tradhtuar nga institucioni i Ministrisë së Kulturës dhe nuk mund të futemi në asnjë dialog për një pr/ligj që parashikon shembjen e Teatrit Kombëtar, dhe Teatrit Kombëtar Eksperimental” shkruhet në letrën e hapur.

Ndërkohë aktori i njohur Robert Ndrenika u tregua më i ashpër. I indinjuar nga bojkoti i deputetëve të maxhorancës, Ndrenika tha se është koha për të nisur luftën për të mbrojtur teatrin.

Robert Ndrenika: “Faleminderit që na thirrët dhe po na dëgjonit. Personalisht do të doja të ishte dhe pala e deputetëve të PS-së. Mospjesëmarrja e tyre tregon se duhet të nisë lufta. Unë erdha me mendjen që të flisja dhe të arsyetonin  me ta. Ata nuk vijnë fare. Nuk di ç’të të them. Di tu them, PPP në këtë rast me teatrin kombëtar dhe tokën është shqeto vjedhje e grabitje, për këtë jo unë vetëm, por ta analizojnë të tërë: Një përparësi që i jepet një firme. S’na dëgjon kush, s’na përfill kush, na braktisin. ”

Argumentet kundër të aktorëve

-Projektligji është propozuar pa marrë në konsideratë opinionin e aktorëve.

-Projektligji prezantohet në formën e një kontrate të mbyllur pa konkurs me fitues të shpallur duke cenuar dhe misionin fillestar që duhet të kryejë një ligj për rregullimin e marrëdhënieve në shoqëri.

-Parlamenti në këtë rast kthehet në një noter të rëndomtë që vulos kontrata dhe jep leje ndërtimi.

-Projektligji ad-hoc injoron tërësisht legjislacionin në fuqi që rregullon marrëdhëniet mes sektorit publik dhe atij privat, dhe del mbi ligjin.

-Injorohet pushteti privat

-Kjo sipërmarrje është atentat ndaj kulturës dhe artit në Shqipëri me rrezikun që mund të krijohet kolaps kulturor në vend duke goditur njëherazi, infrastrukturën mbështetëse që është në dispozicion të artit dhe pavarësinë statusit të aktorit i cili konsiderohet si punëtor me mëditje./Ora News/