Telekomi në rrezik

As sot s’ka zgjidhje për Telekomin

As sot s’ka zgjidhje për Telekomin

Pa zgjidhje ka përfunduar takimi në mes përfaqësuesve të shtetit dhe atyre të kompanisë Z-Mobile.

Gazeta Online Insajderi.com, ka raportuar të martën e 27 tetorit se Drejtori i Njësisë për Politika dhe Monitorim te Ndërmarrjeve Publike, Besnik Krasniqi, do të takohet me përfaqësuesit e kompanisë private Dardafon.

Besnik Krasniqi pas takimit tha për Insajderi-n se i është kërkuar Z-Mobile që të zhbllokojë xhirollogaritë dhe pastaj të vazhdojë dialogimi për arritjen e një marrëveshjeje në mes Telekomit dhe Dardafon-it.

Megjithatë, nuk ka pasur përgjigje. Ajo pritet të jepet nesër, me 28 tetor.

“I kërkuam që të zhbllokohen llogaritë e Telekomit, por vendimin thanë se e marrin nesër”, tha Krasniqi.

Ky nuk ishte takimi i vetëm në mes përfaqësuesve shtetërorë dhe atyre të Dardafon/Z-Mobile.

Më 15 tetor ishte zhvilluar një takim i pa-lajmëruar në mes ministrit të Ekonomisë, Blerim Kuçi, me pronarin e Korporatës Devolli, Blerim Devollin.

Insajderi kishte raportuar se korniza kohore e kthimit të borxhit ishte çështja problematike. Derisa Devolli kërkonte që borxhi t’i kthehej në një afat prej 18 muajsh, Qeveria kërkonte tri deri në pesë vjet.

Ky borxh përfshinë vlerën e rreth 30 milionë euro, ndërsa të martën kryetari i Federatës Sindikale të Telekomit. Lamih Balaj i tha Insajderit se në xhirollogaritë bankare të ndërmarrjes publike janë pak më shumë se 2.5 milionë euro.

Insajderi ka tentuar të kontaktojë me ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientin, Bleirm Kuçin. Ka qenë e pamundur.

Kjo është hera e dytë që Telekomit i dalin jashtë kontrollit llogaritë bankare, një gjë e tillë ndodhi edhe në korrik të këtij viti.

Madje, Insajderi raportoi se për bllokimin e llogarive në korrik kishin ndodhur edhe shkarkime zyrtaresh brenda Telekom-it. /Insajderi.com