Mbi 38 mijë persona në Kosovë marrin pensionet e veteranëve

Mbi 38 mijë persona në Kosovë marrin pensionet e veteranëve

Agjencia e Statistikave të Kosovës(ASK) i ka publikuar statistikat e mirëqenies sociale, respektivisht të personave që janë përfitues të pensioneve të veteranëve të UÇK-së, shkruan Gazeta Insajderi.

Sipas ASK-së, nga skema për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës janë 13 mijë e 150 përfitues kurse nga skema për veteranët e luftës janë 38 mijë e 52 përfitues.

Ky publikim ofron të dhëna për numrin e përfituesve nga skema e ndihmës sociale, skema e pensioneve bazë të moshës, të pensioneve kontributpaguese të moshës, skemën e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara, skemën e pensioneve për personat paraplegjik dhe tetraplegjik, skemën për mbështetje materiale për familjet me fëmijë me aftësi të kufizuara të përhershme, skemën për pensionet familjare, skemën për pensionet invalidore, skemën e pensioneve për familjet e dëshmorëve, invalidëve të luftës dhe veteranëve të luftës, skemën e pensioneve të Trepçës, skemën e pensioneve për Trupat Mbrojtëse të Kosovës, të Forcës së Sigurisë së Kosovës, skemën e kompensimeve për personat e verbër, të dhëna për numrin e fëmijëve të braktisur etj.

Sipas rezultateve të dala nga ky publikim rezulton se: nga skema e ndihmës sociale kanë përfituar 24,767 familje me gjithsej 100,995 anëtarë; dhe nga skema për mbështetje materiale familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara kanë përfituar 2,124 familje.

Ndërsa, nga skema e pensioneve bazë të moshës janë 129,267 përfitues; nga skema e pensioneve kontributpaguese të moshës janë 46 513 përfitues; nga skema për pensionet familjare janë 3,932 përfitues; nga skema për pensionet invalidore janë 105 përfitues; nga skema për pensionet e Trepçës janë 2,752 përfitues; nga skema e pensioneve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës janë 1,071 përfitues;  nga skema e pensioneve për Forcën e Sigurisë së Kosovës janë 541 përfitues; nga skema e kompensimeve për personat e verbër janë 1,924 përfitues; nga skema e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara janë 17,323 përfitues; nga skema për pensionet e personave paraplegjik dhe tetraplegjik janë 3,105 përfitues.