Askush nuk do ta fitojë luftën artificiale ndërmjet burrave dhe grave

Askush nuk do ta fitojë luftën artificiale ndërmjet burrave dhe grave
Burimi i fotografisë: Azem Troqe

“Kush janë më romantikë, burrat apo gratë?”, “Kush tradhtojnë më shumë?”, “Burrat apo gratë gënjejnë më shumë?”, “Kush janë më inteligjentë?”, “Kush janë më xhelozë?”…. Këto tema në formë kuizi dhe shumë të tjera të ngjashme i gjejmë përditë në mediat dhe mjediset tona shoqërore.

Në pyetje të tilla ku nuk gjen më shumë se dy opsione, të shumtë janë ata që nuk përgjigjen me ndonjë opsion të tretë: ose thonë burrat, ose gratë.

Për dallimet midis burrave dhe grave, psikologët kanë gjithmonë përgjigjje. Megjithatë, ata nuk përgjigjen kaq shkurt.

Sipas psikologjisë, mashkulloriteti dhe feminiliteti nuk janë të kundërta me njëra-tjetrën, megjithëse janë dimensione të ndara.

Megjithatë, shumë psikologë rëndom pajtohen se në pergjithesi gratë zakonisht përshtaten, janë emocionale dhe nuk kanë shumë vetbesim.
Për rrjedhojë, shumë djem të rinj mësohen herët t’i fshehin emocionet, nuk ia pranojnë vetes se ndonjëherë ndjehen të dobët dhe mbi këtë arsye zgjedhin të sulmojnë.

Ka shumë studime që dëshmojnë për dallimet në sjellje mes burrave dhe grave. Por edhe për dallimet që ekzistojnë, nuk besohet se vijnë si rezultat i faktorëve bilogjikë (nga lindja), por më shumë nga faktorë tradicionalë (formohen gjatë jetës), shkruan Insajderi.

Roli gjinor, i cili iu referohet sjelljeve dhe veçorive që pret një kulturë nga meshkujt dhe fermat ka një ndikim të madh në dallimet ndërmjet dy gjinive, thonë psikologët.

Në Kosovë vërehet se qysh në fëmijëri shumë vajza zakonisht mundohen t’i fshehin ambiciet e tyre, mohojnë talentin dhe aftësitë që kanë, nganjëhere ia mohojnë edhe vetes dhe iu nënshtrohen paragjykimeve e stereotipeve gjinore.

Psikologu britanez, Adam Philips, tregon se për sa i përket sjelljeve janë zbuluar më pak dallime të qarta ndërmjet të sapolindurve femra dhe meshkuj sesa anatomike dhe biologjike.

Në periudhën që fillon nga rreth 2 vjeç lindin dallimet e para të dukshme në sjelljet dhe preferencat e veprimtarive. Këto veprime ndjekin shumë nga afër stereotipet tradicionale (pritshmërinë e shoqërisë), thotë Michael Lewis, profesor amerikan i pediatrisë dhe psikiatrisë, si dhe drejtor i Institutit për Studimin e Zhvillimit të Fëmijëve në Rutgers Robert Wood Johnson Medical School.

Megjithatë fëmijët shpalosin pak ndryshime të lidhura me seksin në sjelljet e tyre përpara moshës dyvjeçare.

Shembull për këtë mund të jetë një studim i para më shumë se 3 dekadash në një qendër kujdesi për fëmijët në Amerikë, ku ata bashkveprojnë me njëri-tjetrin dhe me mësuesit e tyre. Në këtë periudhë djemtë dhe vajzat kishin shfaqur një numër të barabartë të sjelljeve të vetëbesimit. Mësuesit megjithatë kishin më shumë tendencë të reagonin kur kjo veti shfaqej te djemtë por ta injoronin kur shfaqej nga vajzat.
Një vit më vonë fëmijët u vëzhguan përsëri në të njëjtin mjedis. Djemtë tashmë shpalosnin më shumë sjellje vetëbesimi sesa vajzat (Fogot, 1985).

Nga mosha dyvjeçare e më tej edhe prindërit janë më të prirur për t’iu përgjigjur në mënyrë të favorshme fëmijëve të tyre kur kryejnë veprime që shprehen ashtu si priten për seksin e tyre dhe në mënyrë negative për veprimet e përcaktuara si për seksin tjetër. Këtë e ka thënë pasikologia amerikane, Nancy Yocom Leinbach më 1987.

Në vitin 2016, psikologia dhe profesoresha e Universitetit të Tel Avivit, Daphna Joel me një ekip të saj kishin kryer një studim për të parë dallimet gjinore aq shumë të diskutuara; dallimet e pretenduara mes trurit të mashkullit dhe atij të femrës. Ata kishin analizuar 1400 ekzemplarë nga individë të ndryshëm, duke zbuluar në fund se ky dallim është shumë i rrallë dhe se nuk është biologjik (i lindur).

“Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, kemi analizuar 1400 ekzemplarë nga individë të ndryshëm. Në çdo rast kemi diktuar pjesë të trurit ku shfaqen dallimet më të dukshme. Pastaj bëmë pyetjen nëse këto dallime tregojnë nëse individi ka qenë burrë apo grua. Ajo që zbuluam është se ky dallim është shumë i rrallë”, ka shpjeguar Joel.

Studiuesit kishin arritur në përfundimin se disa pjesë të trurit shfaqin dallime gjinore, por sipas tyre truri në përgjithësi nuk ka karakter mashkullor apo femëror.

Joel, e cila kryesoi studimin, është e mendimit se njerëzimi duhet të largohet nga terminologjia që kategorizon veçori apo aftësi të caktuara të individit në bazë gjinore.

“Kjo nënkupton se bindjet tona si shoqëri se përkatësia gjinore, pra fakti që dikush është mashkull apo femër ndikon te preferencat e individit, te tiparet që do të shfaqë ky individ, që njerëzit u përkasin dy natyrave: asaj femërore apo mashkullore, nuk ka bazë shkencore. Thjesht njerëzit dallojnë nga njëri-tjetri” është shprehur ajo. /Insajderi.com