Askush nuk e do PDK-në për koalicion dhe problemi i madh historik mes LDK-së dhe VV-së

Partia Demokratike e Kosovës është shënjuar me vijë të kuqe nga shumica e partive politike në Kosovë të cilat nuk duan koalicion me këtë parti. Në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme dy partitë më të afërta shihen LDK dhe VV, por mes tyre ekziston edhe një problem i madh historik. LDK kërkon të respektohet figura historike e kësaj partie politike, Ibrahim Rugova.

Askush nuk e do PDK-në për koalicion dhe problemi i madh historik mes LDK-së dhe VV-së

Koalicioni që Lidhja Demokratike e Kosovës do ta bëjë në rast të zgjedhjeve të jashtëzakonshme do të varet krejtësisht nga zgjedhjet e brendshme të LDK-së që do të mbahen këtë të shtunë.

Bashkëpunimi më i përfolur për të cilin, takimet mes Isa Mustafës dhe Albin Kurtit kanë filluar tash e sa kohë mund të dështojnë nëse Lutfi Haziri bëhet kryetar i kësaj partie. Haziri ka treguar mbrëmë se ka ende një kusht të cilin Vetëvendosja nuk e ka plotësuar ndaj LDK-së, shkruan Insajderi.

Haziri ka insistuar se partia që udhëhiqet nga Albin Kurti duhet ta respektojë presidentin historik të kësaj partie, Ibrahim Rugovën. Nëse një veprim i tillë nuk bëhet nga LDK, sipas Hazirit nuk duhet të ketë bashkëpunim me VV-në.

“Nuk e di përse janë vonuar. Për mua ka me qenë kusht gjithmonë”.

“LDK nuk e ka vendosur asnjëherë këtë kusht, vetëm unë. Nuk e di përse se kanë gjetur një kohë deri tash”, ka deklaruar Haziri mbrëmë kur është pyetur nëse LDK ka ende kushtin për respektimin e Rugovës.

Nënkryetari i LDK-së po ashtu është deklaruar se preferon të futet e vetme në zgjedhjet e jashtëzakonshme. I ka eliminuar të gjitha partitë e tjera për koalicion parazgjedhor me LDK-në, ndërsa kur është pyetur për koalicion pas zgjedhjeve ka thënë se atëherë është “muhabeti më ndryshe”.

Haziri më i vendosur është deklaruar për mos bashkëpunim me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK). Ai ka thënë se që nga votimi për rrëzimin e Qeverisë Mustafa kanë ndërprerë të gjitha komunikimet me PDK-në, shkruan Insajderi.

“Që nga rrëzimi i qeverisë për herë të parë nga përfundimi i luftës nuk ka pasur komunikim. Ne jemi shumë të qartë”, ka thënë Haziri duke aluduar se nuk do të ketë koalicion me PDK-në.

Në anën tjetër, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, vetëm disa ditë më parë nuk ka përmendur kushte për bashkëpunimin me LDK-në. Kurti është shprehur i gatshëm të bashkëpunojë me LDK-në dhe Isa Mustafën që dikur e quante ‘argat të Serbisë’.

“Me LDK-në, si dy partitë më të mëdha politike në vend, si opozita e këtij vendi, do të vazhdojmë komunikimin dhe koordinimin menjëherë në ditët në vijim”.

“Do të shohim se çka është më së miri. S’mund të flas tash se cilat do të jenë hapat e ardhshëm”, ka deklaruar ai vetëm disa ditë më parë.

Përderisa kjo parti ka shprehur afërsi me LDK-në, deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu është shprehur e bindur se në asnjë rrethanë nuk do të futet në koalicion me PDK-në.

“VV nuk hynë në koalicion me PDK-në në asnjë rrethanë. PDK duhet të pastrohet, e për t’u pastruar dhe për të dhënë përgjegjësi për dëmet i duhet kohë. Në këtë kuptim nuk bënë VV koalicion me PDK-në që është përgjegjësja më e madhe e të gjitha dëmeve që i janë shkaktuar vendit”, ka deklaruar Haxhiu 7 ditë më parë.

Haradinaj dëshiron përsëri koalicion të gjerë

Ramush Haradinajt duket se i ka pëlqyer koalicion parazgjedhor me shumë parti, kur nga zgjedhjet e fundit fitoi postin e kryeministrit të vendin, pas koalicionit me PDK-në, Nismën si dhe disa parti të tjera.

Haradianj që dha dorëheqje nga posti i kryeministrit për shkak të ftesës nga Gjykata Speciale, ka përmendur tri parti me të cilat ai ndjen afërsi.

Përkundër që ka deklaruar se AAK do të shkojë e vetme në zgjedhje të jashtëzakonshme ka përmendur tri parti ku sipas tij i ndjen më të afërta me partin e tij.

“Ndjejmë një afërsi me NISMA-n, PSD-në, AKR-në dhe ndonjë parti tjetër”, ka deklaruar Haradinaj ditë më parë.

PDK-së i ka vënë vija të kuqe edhe Partia Socialdemokrate të cilës iu bashkuan 11 deputetët pas dorëheqjes nga Vetëvendosja. Frashër Krasniqi thotë se PSD nuk ia mbyll derën askujt me përjashtim të PDK-së.

“Ne jemi të përcaktuar që të kandidojmë vetëm , por nuk duam as të hapim dhe as të mbyllim dyert për askënd”.

“PSD-ja mendon që PDK-ja duhet të shkojë në opozitë. Ky është qëndrim i bazuar mbi faktin që është një prej subjekteve përgjegjëse për gjendjen në të cilën ka ardhur Kosova”, kishte deklaruar Krasniqi disa ditë më parë.

PDK në dispozicion për koalicion duket se do ta ketë vetëm partnerin e saj të kah motshëm me Aleancën Kosova e Re të Behgjet Pacollit. Kjo parti nuk i ka vënë vija të kuqe PDK-së, por thonë se preferojnë më pak koalicionin me këtë parti.

“PDK është me pak e dëshiruar për një koalicion parazgjedhor, të gjitha tjerat janë opsione më të mundshme”, kishte deklaruar sekretari i kësaj partie Vesel Makolli.

Haradinaj ka dhënë dorëheqje 11 ditë më parë nga posti i kryeministrit për shkak të ftesës nga Gjykata Speciale në cilësinë e të dyshuarit. Ai ka udhëtuar në Hagë për tu intervistuar nga hetuesit e Prokurorisë Speciale, por është mbrojtur në heshtje./Insajderi.com