Asnjë ekonomi nuk përfiton nga lufta e monedhave

Asnjë ekonomi nuk përfiton nga lufta e monedhave

Fondi Monetar Ndërkombëtar paralajmëroi qeveritë e ndryshme të botës mbi përpjekjet e tyre për të dobësuar qëllimisht monedhën, me synim përfitimin.

Sipas institucionit, kjo gjë po arrihet nëpërmjet politikave monetare lehtësuese apo edhe nëpërmjet ndërhyrjeve të drejtpërdrejta në treg dhe një praktikë e tillë vetëm sa dobëson sistemin monetar ndërkombëtar dhe përkeqëson gjendjen e ekonomive të ndryshme të botës.

Njoftimi i FMN vjen pikërisht në javën që takohen bankierët qendrore kryesorë të botës. Këta të fundit mblidhen në Wyoming të SHBA-së, për të diskutuar mbi çështjet e politikave monetare botërore.

Për më tepër FMN thotë se praktika si lehtësimi i politikave monetare apo blerja e monedhës së një vendi tjetër, nuk do të dobësojnë mjaftueshëm monedhën e një vendi, sa të përmirësojë bilancin tregtar.

Zhvlerësimi i monedhës duhet të jetë shumë më i madh se çfarë mund të ofrojnë ndërhyrjet në politikat monetare apo edhe në treg drejtpërdrejtë, në mënyrë që të japë rezultate, thekson institucioni me bazë në Washington.

Ndërkohë, administrata e SHBA e ka klasifikuar Kinën si vend që manipulon valutën dhe i ka kërkuar FMN që të punojë në këtë drejtim për të “rregulluar” problemin.