Asnjë i vdekur nga COVID-19, flet Kurti

Asnjë i vdekur nga COVID-19, flet Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se e shtuna e kësaj jave i shton shpresat në luftën kundër pandemisë COVID-19, pasi që ka rënie të numrit të rasteve të reja me këtë virus, njofton Insajderi.

Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Instagram, Kurti është deklaruar për raportimin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, që gjatë ditës njoftoi se nuk është shënuar asnjë i vdekur.

“Sot, kur u bënë dy muaj qëkur Qeveria jonë mori besimin e Kuvendit, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës raporton për zero raste vdekjeje nga COVID-19. Kjo e shtunë i rritë shpresat tona me lakoret që shënojnë rënie të rasteve të reja dhe rritje të numrit të të vaksinuarve dhe të të shëruarve nga COVID-19”, ka shkruar Kurti.

“Ky përparim i brishtë shumë prej nesh i gjen në pikëllimin e thellë për më të dashurit që humbëm. Çdo jetë e humbur nga kjo pandemi, është humbje e jona kolektive. Të qëndrojmë të bashkuar deri në ditën kur lakorja për të cilën do të flasim, do të jetë ajo e buzëqeshjes në fytyrat tona për fitoren ndaj virusit”, ka shkruar më tej Kurti në Instagram. /Insajderi.com