Asnjë komunë nuk e pranon bllokimin e plotë

Asnjë komunë nuk e pranon bllokimin e plotë

Asnjë kryetar komune nuk është dakord që të ketë masa të reja anti-COVID që përfshijnë një bllokim tjetër të plotë.

Kjo pasi masat e ndërmarra nga Qeveria më 12 nëntor, sipas Drejtorit Ekzekutiv të Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, kanë rezultuar të suksesshme.

Ai në një deklaratë për Gazetën Online Insajderi, nuk e pa zgjidhje një mbyllje tjetër totale.

“Mbyllja, për këtë fazë, duke e vërejtur që trendi i numrit të të infektuarave është në rënie e sipër dhe vetëm gjatë ditëve të fundit kemi rënie për 14.3%”, arsyetoi Ibrahimi.

Sipas tij, këto masa kanë rezultuar efektive, pasi janë respektuar nga të gjitha komunat e Kosovës.

“Në të gjitha komunat masat janë duke u respektuar në nivelin më të lartë. Inspektorët komunal së bashku me ata qendror dhe në përkrahje të policisë së Kosovës bëjnë monitorimin e zbatimit të masave anti-Covid në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës”. tha Ibrahimi.

Respektimin e masave anti-COVID nga qytetarët e konstatoi edhe Policia e Kosovës, në një përgjigje për Insajderi-n.

“Angazhimet e zyrtarëve policor në zbatim të ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, në tërë territorin e RKS-së janë duke vazhduar, përderisa masat nga qytetarët po respektohen, përjashtuar në disa raste ku PK-ja sipas legjislacionit merr masa ndaj tyre, statistikat bëhen publike në baza ditore”, thuhet nga zyra për media e Policisë së Kosovës.

Por Policisë së Kosovës, Sazani meritat për menaxhimin e pandemisë ia atriboi edhe komunave të Kosovës që përpos “monitorimit për zbatimin e masave anti-COVID po ndikojnë edhe në zbutjen e krizës sociale”.

“Menaxhimi i situatës nga kryetarët dhe komunat ne tërësi është vlerësuar i lartë edhe nga niveli qendror. Së fundmi komunat kanë filluar edhe t’i përkrahin me mjete financiere familjet dhe bizneset e prekura nga COVID 19”.

Komunat po shpenzojnë nga buxhetet  përtej linjave të planifikuara  për 2020. Por, a do ta kenë buxhetin e njëjtë edhe në vitin 2021?

Sazani për këtë shqetësim të komunave deklaroi se kanë marrë zotim nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, se nuk do të ketë ulje buxheti.

“Asociacioni i Komunave të Kosovës i ka  patur bisedimet me nivelin qendror e në veçanti me kryeministrin Avdullah Hoti, është zotim I KM që komunat do të kenë buxhetin e njëjtë si në vitin 2020 duke I respektuar formulat që derivojnë nga legjislacioni në fuqi”, tha ai. /Insajderi.com