Asociacioni, problem në bisedimet me Serbinë

Asociacioni, problem në bisedimet me Serbinë

Marrëveshja për Asociacionin e komunave serbe nuk duhet të diskutohet nga autoritetet e Prishtinës dhe Beogradit zyrtar, thotë profesori i çështjeve juridike kushtetuese, Mazllum Baraliu, sepse siç thotë ai, në këtë marrëveshje Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte gjetur shkelje, njofton Insajderi.

Sipas Baraliut, diskutimi në kuadër të dialogut të Brukselit për çështjen e Asociacionit është njësoj i dëmshëm për Kosovën sikurse ideja për shkëmbim, territorial, vetëm në një formë tjetër.

Për Asociacionin, Kosova dhe Serbia më 7 shtator kanë nisur bisedimet në Bruksel në kuadër të dialogut politik të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë të enjten gjatë një debati në Komitetin për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian se Kosova do ta respektojë Marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Çështja e Asociacionit nuk duhet të shtrohet fare, jo vetëm pse Gjykata Kushtetuese e ka konstatuar se 23 vende ka shkelje, por për arsye se ajo marrëveshje është e vdekur. Serbia pas asaj marrëveshjeje ka bërë obstruksione të panumërta. Serbia ka bërë veprime direkte në rrënimin e shtetësisë se Kosovës, veçanërisht me çnjohjet, por edhe duke aktivizuar strukturat paralele brenda shtetit të Kosovës”, tha Baraliu.

Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është paraparë me Marrëveshjen e parë të Brukselit të vitit 2013, të arritur në dialogun Kosovë-Serbi. Por, deri më tash kjo nuk ka ndodhur për shkak se në vitin 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur që principet për Asociacionin nuk janë në përputhje me Kushtetutën, por që ato mund të harmonizohen me akt ligjor të Qeverisë së Kosovës, gjë që pala serbe ka refuzuar./Insajderi.com