Katër zyrtarë nga Policia e Kosovës, Administrata Tatimore e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit dolën në kon" />

ATK nuk e di pse i mbylli qindra biznese të lojërave të fatit

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) u përfshi në një aksion me Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë e Shtetit për bastisjen e bizneseve të lojërave të fatit më 22 mars të këtij viti, ndonëse ende nuk di të japë shpjegim se me çfarë vendimi apo urdhri u ndërmor ky aksion. ATK nuk di ta arsyetojë mbylljen e kazinove në baza ligjore.

ATK nuk e di pse i mbylli qindra biznese të lojërave të fatit

Katër zyrtarë nga Policia e Kosovës, Administrata Tatimore e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit dolën në konferencë për media më 22 mars, dedikuar një operacioni policor i cili ishte realizuar në shkallë vendi ndaj lojërave të fatit.

Madje, në konferencën ku u njoftua për bastisjen e mbi 230 lokacioneve të lojërave të fatit, mori pjesë edhe një zyrtar i Administratës Tatimore. Hamit Mulaj nga ATK tha se disa prej lokaleve të lojërave të fatit kanë ushtruar veprimtari të paligjshme.

“Mu për këtë [që kanë ushtruar veprimtari të paligjshme, v.j] ky aksion është i dedikuar për këto raste së bashku me Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë”, kishte thënë Mulaj.

Ndërkaq, rreth dy javë pas këtij aksioni të përbashkët të Policisë së Kosovës, ATK-së dhe Prokurorisë së Shtetit, njëra prej këtyre institucioneve nuk e ka asnjë shpjegim se prej nga erdhi urdhri për bastisjen e lokaleve të lojërave të fatit.

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) nuk ka qenë në gjendje të japë sqarim se me çfarë urdhri janë mbyllur qindra biznese të lojërave të fatit. Në një përgjigje për Insajderin, ATK ia ka faturuar Policisë së Kosovës të gjithë aksionin e 22 marsit, ndonëse edhe 161 zyrtarë të Administratës Tatimore kishin marrë pjesë në aksion.

“Aksioni i datës 22 Mars 2019 ka qenë aksion i Policisë së Kosoves, dhe për çdo informacion rreth këtij aksioni mund të adresoheni ne polici. ATK vetëm ka mbështetur këtë aksion”, thuhet në një përgjigje me shkrim të ATK-së për Gazetën Online Insajderi.

Teksa Ligji për Lojërat e Fatit – i miratuar më 29 mars nga Kuvendi i Kosovës – nuk ka hyrë ende në fuqi, ATK nuk ka ditur të japë sqarim as për aksionin e 22 marsit. Ka thënë se janë duke pritur një dokument zyrtar nga Qeveria e Kosovës për t’i përcaktuar kompetencat e ATK-së.

“Administrata Tatimore e Kosovës është duke pritur dokumentin zyrtar nga Qeveria e Republikës së Kosovës për kompetencat tona në veprimtarinë e lojërave të fatit”, thuhet në përgjigjen e ATK-së.

Teksa aksioni i përbashkët i ATK-së, Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë rezultoi me mbylljen e qindra lokaleve të lojërave të fatit, ministri i Financave, Bedri Hamza tha para gjashtë ditësh se asnjë kazino nuk është e licencuar në Kosovë.

“Po ashtu dhe nëse sillet një ligj që të mbyllen të gjithë lojërat e fatit ne e përkrahim…po ju jap disa të dhëna, në Kosovë nuk ka asnjë kazino të licencuar. Dogana dhe ATK kanë konfiskuar 285 aparate dhe janë 280 raste me miliona euro gjoba…rruga ma e shkurtë është që ligji të sponsorizohet përmes Kuvendit”, tha Hamza, në një fjalim në Kuvendin e Kosovës më 29 mars.

Operacioni i 22 marsit ka përfshirë mbi 1 mijë zyrtarë të ndryshëm qoftë të policisë së Kosovës, Doganës dhe ATK-së.

Konkretisht 950 zyrtarë policorë, 161 zyrtarë të ATK-së dhe 77 të Doganës së Kosovës morën pjesë në këtë aksion. U mbyllën 35 lokale lojëra të fatit, ndërsa 118 aparate janë konfiskuar nga dogana. /Insajderi.com