ATK mohon se drejtori i saj në Gjilan është arrestuar

ATK mohon se drejtori i saj në Gjilan është arrestuar

Administrata Tatimore e Kosovës ka mohuar raportimet se drejtori i saj në Gjilan, Alban Qerimi është arrestuar nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në media është raportuar se përveç drejtorit, në prangat e policisë ka rënë edhe një zyrtar tjetër i ATK-së në Gjilan. Të dy u raportua se janë arrestuar nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”.

Por, në një prononcim për Insajderi-n, zyrtarja për informim e ATK-së, Valentina Bytyqi ka thënë se drejtori Qerimi është në vendin e tij të punës, ndërsa për zyrtarin tjetër, siç bëri të ditur ajo, inspektorin, nuk ka ende asnjë informacion.

Bytyqi po ashtu shtoi se gjatë ditës do të dalin me një qëndrim lidhur me këtë çështje.

“Jemi informuar nga mediat sepse nga policia nuk kemi pranuar ende asnjë informacion zyrtar. Ajo që mund të ju konfirmoj është se lajmi për arrestimin është i pavërtetë. Drejtori Alban Qerimi është në vendin e tij të punës, nuk është i arrestuar. Shumë shpejtë si ATK do të dalim me një qëndrim. Për inspektorin nuk kam ende asnjë informacion, tjera informacione nuk kam”, ka thënë ajo./Insajderi.com