ATK shënon rritje të hyrash krahasuar me vitin e kaluar

ATK shënon rritje të hyrash krahasuar me vitin e kaluar

Përkundër situatës me pandeminë COVID-19, Administrata Tatimore e Kosovës ka shënuar rritje të hyrash.

Kështu ka njoftuar drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj.

“Në raport me vitin e kaluar kemi arritur që të kemi mbi 30 përqind realizim të të hyrës por edhe në raport me planin kemi mbi 11 përqind me tepër apo mbi 24 milionë më shumë sesa plani pesë mujor i vitit 2021”, tha ai në Klan Kosova.

Ai shtoi se objektivi i ATK-së është finalizimi i të hyrave.

“Plan ky i cili përcaktohet me buxhetin vjetor nga ana e qeverisë. Në pesë mujorin e parë kemi pasur një performancë të shkëlqyer dhe nëse e krahasojmë me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar dhe planin, në të dy krahasimet rezulton që kemi qenë mjaft mirë”.

Murtezaj foli gjithashtu për sfidat që ATK ka pasur gjatë vitit 2020 shkak i pandemisë.

“Sikurse të gjitha segmentet shtetërore dhe shoqërore që janë dëmtuar nga pandemia edhe në Administratën Tatimore të Kosovës ka pasur ndikim jashtëzakonisht negativ duke shkaktuar rënie të të hyrave tatimore si në raport me planin ashtu edhe në raport me vitin paraprak”. /Insajderi.com