Atletico Madrid, i fiksuar për të ndalur Modric-in

Atletico Madrid, i fiksuar për të ndalur Modric-in

Meqë Toni Kroos dhe Casemiro janë ende të dëmtuar, Luka Modric duhet të gjejë forcat për të dirigjuar i vetëm mesfushën e “Galaktikëve” në derbin e së shtunës, Atletico Madrid-Real Madrid. Dihet botërisht se ai është një ndër mesfushorët më të mirë në qarkullim dhe ecejaket e tij me apo pa top padyshim që janë pengesë për planet e teknikut Diego Simeone.

Ky i fundit po mendon si ta rreshtojë skuadrën e tij për të “sfumuar” rolin e kroatit, shkruan gazeta spanjolle “Marca“. Real Madrid ia di shumë mirë vlerat ish-lojtarit të Tottenham-it, të cilit ia ka rinovuar kontratën deri në vitin 2020.
“Me Modric-in, Real Madrid ka fituar sërish lojtarin e vet më të mirë”, – tha mesfushori i bardhekuqve, Gabi, para ndeshjes më delikate të sezonit, shkruan Telesport.

Modric do të jetë lideri i repartit nga ku nis çdo aksion sulmues, gati për të drejtuar mesfushorët e tjerë, të cilët janë zgjedhje e dytë. Gjenialiteti i 31-vjeçarit ndaj Atletico Madrid-it është parë sidomos në finalen e Ligës së Kampionëve, por në kampionat gjërat nuk kanë shkuar edhe aq mirë në aspektin e rezultateve.

“Los Blancos” nuk ka fituar në gjashtë ndeshjet e fundit me të në fushë, statistikë që duhet rregulluar në sfidën e radhës në “Vicente Calderon”.