AUK themelon Fondin Përkujtimor të Bursave “Artan Venhari”

AUK themelon Fondin Përkujtimor të Bursave “Artan Venhari”

RIT Kosovë – AUK ka themeluar Fondin Përkujtimor të Bursave “Artan Venhari” për nder të të ndjerit Artan Venhari.

Artani (1974-2019), një mik i dashur për shumë njerëz, humbi jetën në një aksident gjatë paragllajding afër Prizrenit, Kosovë, më 7 Shtator 2019.

“Me kërkesë të bashkëshortes së Artanit,Hana Xhemajli, Fondacioni A.U.K po pranon kontribute nga komuniteti për të krijuar një bursë që do të mbështesë studentë të rinj të talentuar, me nevojë financiare të dëshmuar, për të studiuar në drejtimin Politika Publike dhe Qeverisje në RIT Kosovë (A.U.K)” është bërë e ditur nga ky institucion.

Bashkëshortja e tij ka thënë se asgjë nuk i jipte kënaqësi më të madhe Artanit sesa zgjidhja e çështjeve kritike sociale.

“Gjurmët që Artan Venhari la mbi projektin tonë për një kohë shumë të shkurtër nuk do të zbehen kurrë,” thotë Koordinatori i Vendit të Kosovës për Helvetas dhe njëkohësisht Drejtor i Projektit për Decentralizim dhe Mbështetje Komunale (DEMOS) II, Z. Norbert A.E.M. Pijls. “Artani vendoste standarde të larta, dhe ishte i palodhshëm në angazhimin e tij për t’i arritur ato. Ai dha shumë prej vetes për kauzën e arritjes së përsosmërisë në shërbimin civil. DEMOS krenohet për mundësinë e bashkangjitjes në këtë iniciativë bursash për të mbështetur studentë të rinj që do të çojnë përpara vizionin e Artanit për një qeverisje gjithëpërfshirëse, të përgjegjshme, transparente, reaktive, efikase dhe efektive, si dhe të barabartë e në përputhshmëri me ligjin”.

“Buzëqeshja e Artanit ishte ngjitëse, dhe sot fryma e tij e optimizmit, mirësisë e përkushtimit mbetet mes nesh, meqenëse vazhdon të jetojë te njerëzit që ndajnë dhembshuri me të tjerët dhe botën përreth tyre.” thotë Visar Jasiqi, Zyrtar Kryesor për Operime dhe Komunikim në RIT Kosovë (A.U.K). “Jemi krenarë që Fondacioni ynë bamirës është bashkuar me këtë iniciativë dhe shpresojmë që bursistët e këtij fondi të posedojnë shumë prej karakteristikave dhe cilësive që Artani i shfaqte gjatë jetës së tij”, tha Hana Xhemajli.

AUK njofton që bursa e parë nga Fondi Përkujtimor “Artan Venhari” do të shpërndahet në Qershor 2020 për Semestrin e Vjeshtës, për të financuar shkollimin e studentëve të talentuar me nevojë të dëshmuar financiare që zgjedhin “Politika Publike dhe Qeverisje” si një nga fushat e tyre të studimit në RIT Kosovë- AUK.

Artan Venhari i kushtoi pjesën më të madhe të jetës dhe karrierës së tij qeverisjes së mirë, politikës publike, shërbimit civil dhe shoqërisë civile. Përmes organizatave të ndryshme, ai është përpjekur të ndikojë në formulimin dhe zbatimin efektiv të politikave të mirëfillta për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve të Kosovës për një periudhë të gjatë e në mënyra të qëndrueshme. Puna e tij profesionale la gjurmë në Iniciativën Kosovare për Shoqërinë Demokratike, Iniciativën Kosovare për Stabilitet (IKS), Agjencinë Evropiane për Rindërtim, Institutin Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED), Zyrën Kombëtare të Auditimit në Kosovë (KNAO), Programin e Udhëheqjes Transformuese dhe Kurset e Shërbimit Publik të USAID-it, dhe Projektin për Decentralizim dhe Mbështetje Komunale (DEMOS).

Gjithashtu u bë e ditur se pjesa më e madhe e veshjeve sportive të Artanit janë vënë në shitje nga gruaja e Artanit, Hana, për të gjeneruar fonde bursash, dhe të kombinuara me premtimet për dhurime nga punëdhënësit e tij të fundit – Helvetas dhe RIT Kosovë (A.U.K) – Fondi Përkujtimor i Bursave “Artan Venhari” ka arritur kontribute të premtuara prej 15,000 Euro deri tani. Është dëshira e Hanës të jipen dy bursa të plota për të paktën dy studentë gjatë periudhës së tyre të studimit. Për më tepër, familja dhe miqtë e Artanit urojnë që ky fond të shërbejë si një homazh i vazhdueshëm për një nga profesionistët më jetësor, altruist, e të përkushtuar, si dhe një nga sportistët më të pasionuar të komunitetit tonë.

“Për të arritur këtë qëllim, objektivi për Fondin Përkujtimor të Bursave “Artan Venhari” është të arrijmë në 25,000 Euro në kontribute deri në Qershor të vitit 2020, prandaj i ftojmë të gjithë miqtë dhe njerëzit e tjerë të vullnetit të mirë për t’u bashkuar në këtë iniciativë. Dhurimi juaj financiar, si dhe premtimet e kohës dhe/ose burimeve tuaja për të bërë publikime, shpërndarje të lajmit, dhe organizime për mbledhje fondesh, pranohen me mirënjohje. 100% e donacioneve do të jepen në formën e bursave”.

Faqen për grumbullimin e fondeve mund ta gjeni këtu.