Austria, Sllovenia dhe Çekia mbështesin Maqedoninë e Veriut në kontestin me Bullgarinë

Austria, Sllovenia dhe Çekia mbështesin Maqedoninë e Veriut në kontestin me Bullgarinë

Ministrat e punëve të jashtme të Austrisë, Sllovenisë dhe Çekisë, që janë pjesë e grupit joformal të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, “C5”, kanë mbështetur propozimin portugez për zgjidhje të kontestit mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.

Gjatë vizitës së tyre në Shkup, ministrat Aleksandër Shallenberg, Anzhe Llogar dhe Jakub Kulhanek, thanë se tani është koha që Bashkimi Evropian të realizojë premtimin për Maqedoninë e Veriut. Tre diplomatët evropian, vlerësuan se nuk mund të ketë më shtyerje të vendimit për hapjen e bisedimeve, shkruan Insajderi.

“Duhet të menaxhojmë këtë çështje dhe plotësisht i mbështes përpjekjet e presidencës portugeze, bashkë me ministrat këtu dhe në Sofje. Kjo është koha kyçe, momenti kyç, ju lutem kuptoni se nuk dua të hyj në detaje, pasi është proces që vijon. Por, vërtetë mbështes gjithçka që si propozim e ka vendosur në tryezë presidenca portugeze”, tha Aleksander Shallenberg, ministër i Jashtëm i Austrisë.

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka vlerësuar si të rëndësishme vizitën e tre diplomatëve të vendeve anëtare të BE-së, në vigjilje të Samitit ku vendi pret të marrë datë për hapjen e bisedimeve. Osmani tha se sfidat e këtilla mund të tejkalohen vetëm me miq.

“Prania juaj në vendin tonë, është në kohë, 30 ditë para samitieve të qershorit ku përfundimisht mund të kemi vendim për nisjen e negociatave, për caktimin e seancës ndërqeveritare. Në këtë kontest në të cilin gjendemi, sigurisht se kemi nevojë për miq” tha Osmani.

Austria, Sllovenia dhe Çekia, kryediplomatët e të cilëve vizituan sot Shkupin, janë anëtare të grupit jo formal të vendeve anëtare të BE-së, C5, ku bëjnë pjesë edhe Sllovakia dhe Hungaria. Edhe zyrtarët e dy vendeve kanë vizituar më herët Shkupin dhe kanë dhënë mbështetje për hapjen e bisedimeve. /Insajderi.com