Kamikazi i sulmit në “Manchester Arena” ishte shpëtuar nga Marina mbretërore e Britanisë së Madhe në luftën civile në Libi, plot 3 vite përpara se ai të shkaktonte vdekjen " />

Autori i sulmit në Manchester ishte shpëtuar para tri viteve nga Marina britanike në Libi

Autori i sulmit në Manchester ishte shpëtuar para tri viteve nga Marina britanike në Libi

Kamikazi i sulmit në “Manchester Arena” ishte shpëtuar nga Marina mbretërore e Britanisë së Madhe në luftën civile në Libi, plot 3 vite përpara se ai të shkaktonte vdekjen e 22 njerëzve të pafajshëm në një koncert të Ariana Grande.

Salman Abedi ishte vetëm 19 vjeç, kur u ngjit në kuvertën e “HMS Enterprise” në Tripoli në gusht të vitit 2014, së bashku me vëllanë e tij më të vogël, Hashem, si dhe mbi 100 shtetas të tjerë britanikë.

Nga sa bëhet e ditur, emri i Abedit ishte në listën e qytetarëve të braktisur që iu dorëzua ekuipazhit, që kishte për detyrë evakuimin e tyre. Anija i dërgoi ata drejt Maltës, nga ku morën avionin për t’u kthyer mbrapsht në Britani.

Në maj të vitit të kaluar, ai vrau 22 persona, mes të cilëve 7 fëmijë, në një koncert “pop” të Ariana Grande, pasi kishte veshur një jelek kamikazësh të mbushur me bomba.

Një zëdhënës qeveritar u shpreh se “gjatë përkeqësimit të situatës së sigurisë në Libi, në vitin 2014, zyrtarë të Forcave Kufitare u dërguan për të asistuar evakuimin e shtetasve britanikë dhe personave në ngarkim të tyre”.

Abedi ka qenë i monitoruar nga shërbimet e sigurisë, kur ai udhëtoi drejt Libisë, por çështja e tij u mbyll një muaj përpara se të shpëtohej. Sipas raporteve, vendimi për të mbyllur çështjen e Abedit si një “subjekt interesi” ishte bindës, bazuar në informacionet e disponueshme nga shërbimet e sigurisë asokohe.

Një burim qeveritar i tha gjithashtu “Daily Mail”-it se “ishte një akt i tmerrshëm tradhtie që ai person kreu një krim kaq makabër në tokën britanike, pasi ne e shpëtuam atë nga Libia”.

Hashem Abedi mbahet në një burg të Libisë nga një grup milicësh, por qeveria britanike ka kërkuar ekstradimin e tij në mënyrë që të përballet me drejtësinë për përfshirjen e tij në sulm. Një kërkesë, që gjithsesi është refuzuar deri më tani.