Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Avdullah Hoti, ka folur rreth dy marrëveshjeve të nënshkruara për hekurudha dhe autostrada në mes Kosovës dhe Serbisë.
Hoti ka thënë se “letrat e qëllimit apo interesit” për lidhjet infrastrukturore që duhet të ndërtojë Kosova deri në pikë-kalimin kufitar me Serbinë, të nënshkruara në Mynih, janë në interesin e Kosovës dhe janë mbështetur nga SHBA-ja.
“Si partner qeverisës, jemi të gatshëm të marrim përgjegjësitë që i takojnë qeverisë lidhur me procesin e dialogut”, tha ai për REL.
Përveç marrëveshjeve për hekurudha e autostrada, më 20 janar në Berlin, Prishtina dhe Beogradi, po nën ndërmjetësimin e ambasadorit Grenell, kanë nënshkruar marrëveshjen për linjën ajrore Prishtinë- Beograd.
Përmes këtyre letrave të shprehjes së interesit për autostrada dhe hekurudha, të dy shtetet, Kosova dhe Serbia, kanë shprehur gatishmërinë për hapjen e rrugëve ekzistuese, por edhe për ndërtimin e rrugëve të reja që lidhin dy shtetet me rajonin dhe me BE-në.
Edhe përfaqësues të shoqërisë civile e vlerësojnë nënshkrimin e këtyre letrave të interesit, por ata kanë vërejtje për faktin se mungon transparencadhe se ende nuk është e qartë përmbajtja e as mënyra e zbatimit të tyre.
Jeta Krasniqi, analiste nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), tha për Radion Evropa e Lirë, se ky është hapi i parë që tregon gatishmëri të palëve për bashkëpunim, por ajo kërkon që të ketë transparencë se çfarë në fakt përmbajnë marrëveshjet.
“Mbi të gjitha duhet të jetë e qartë se çfarë është duke u synuar të arrihet në këtë proces, pasi pozicioni i të dyja palëve mbetet i njëjtë. Serbia nuk ka hequr dorë nga qasja e saj agresive, jo konstruktive në arenën ndërkombëtare kundër shtetit të Kosovës. Nga ana tjetër, Kosova mbetet në të njëjtin pozicion. Ne e shohim Serbinë që mundohet në çdo mënyrë të na bëjë shtet jofunksional, qoftë brenda dhe jashtë Kosovës”, tha Krasniqi.
Këto letra të interesit janë nënshkruar nga të dyja palët, pas përpjekjeve të dërguarit të Shtëpisë se Bardhë për dialogun ambasadori Richard Grenell, i cili është i angazhuar për normalizimin e raporteve në mes Prishtinës dhe Beogradit.
Zëvendëskryeministri Avdullah Hoti, thotë se roli i shtuar i SHBA-së në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve dhe njohjen reciproke mes Kosovës e Serbisë, është i mirëseardhur dhe i domosdoshëm për të përmbyllur këtë proces sa më parë.
“Është në interesin e Kosovës dhe gjithë rajonit të normalizojmë marrëdhëniet dhe të lëvizim së bashku drejt BE-së”, është shprehur Hoti.
“Qeveria e Kosovës do të jetë partner i besueshëm i SHBA-së dhe BE-së në procesin e normalizimit të marrëdhënieve dhe njohjes reciproke me fqinjin tonë verior”, theksoi zëvendëskryeministri kosovar.
Edhe Jeta Krasniqi thekson se normalizimi i raporteve mund të realizohet përmes dialogut në mes dy shteteve. Por, sipas saj, duhet pasur parasysh edhe faktin që dialogu po zhvillohet që nga viti 2011, kurse zbatimi i marrëveshjeve ka ngecur.
“Ne duhet ta kemi të qartë se çka po synojmë të arrijmë me këtë dialog. Kosova ka dialoguar me Serbinë që nga viti 2011 dhe shohim se edhe në vitin 2020 nuk është që është arritur të normalizohen raportet në mes dy shteteve. Normalisht një pjesë e madhe e marrëveshjeve kanë pasur efekte pozitive, por në esencë kemi Serbinë që ende vazhdon të kundërshton Kosovën si shtet qoftë brenda qoftë në arenën ndërkombëtare”, thekson Krasniqi.
Bisedimet në mes Prishtinës dhe Beogradit u ndërprenë në fund të vitit 2018, kur Qeveria e Kosovës vendosi taksën 100 për qind ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.
Qeveria e re e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, ka thënë se taksën do ta zëvendësojë me masën e reciprocitetit. Por, vendosja e reciprocitetit nuk ka gjetur përkrahjen e Shteteve të Bashkuara. I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell ka kërkuar nga Prishtina zyrtare që ta heqë taksën, pa vendosur reciprocitetin. Ndërkaq Beogradit i ka kërkuar që të ndalë fushatën kundër njohjeve të Kosovës dhe sidomos fushatën e çnjohjeve të shtetit të Kosovës.