Avioni spiun rus fluturon mbi Pentagon, CIA dhe klubin e Trump

Avioni spiun rus fluturon mbi Pentagon, CIA dhe klubin e Trump

Një avion spiun rusë ka fluturuar në kuotë të ulët në Uashington, duke kaluar mbi selinë e Kongresit, atë të CIA-s dhe Pentagonit, por edhe në Xhersi, mbi klubin e golfit ku aktualisht po qëndron presidenti Donald Trump.

Avioni i çarmatosur i forcave ajrore ruse, tip “Tupolev 154 M”, ishte ngritur nga Moska dhe kishte arritur në jug të Virxhinias, duke kryer lëvizje të shumta në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara.

Sidoqoftë, fluturimet janë tërësisht ligjore, bazuar në Traktatin e Qiejve të Hapur, që u lejon 34 vendeve anëtare të kryejnë fluturime civile mbi territorin e njëri-tjetrit.

Por fluturimi i së mërkurës ka marrë një domethënie të veçantë nisur nga vendet që ka vëzhguar avioni rus dhe për faktin se ndodhi në një kohë kur po hetohet ndërhyrja ruse në zgjedhje.

Vetëm të mërkurën u bë e ditur se ish-drejtuesit të fushatës elektorale të Trump, Paul Manafort iu kontrollua banesa e tij në Virxhinia nga agjentët e FBI-së që po hetojnë mbi ndikimin rus.

Avioni ka fluturuar në rreth 3.700 këmbë lartësi mbi qendrën e Uashingtonit, si dhe mbi bazën ajrore Andrews, ku ndodhet dhe avioni presidencial Air Force One.

Gjithashtu, gjatë itinerarit të tij mjeti fluturues ka kaluar mbi fushëbetejën e Luftës Civile në Çejmbërsburg, në një qoshe të Virxhinias Perëndimore dhe pranë bazës ajrore Wright-Patterson në Ohajo, bën të ditur “Politico”.