Avokatët kosovarë: Trendafilova po vjen me mision në Kosovë

Avokatët kosovarë: Trendafilova po vjen me mision në Kosovë

Kryetarja e Dhomave të Specializuara apo siç njihen ndryshe si “Gjykata Speciale”, Katerina Trendafilova, do të vizitoj javën e ardhshme për herë të parë Kosovën, ku do të takohet me zyrtarët kryesorë të Kosovës, përfaqësues të shoqërisë civile, etj. Vizita e saj sipas avokatëve kosovarë nuk është edhe e rastësishme dhe ka një mesazh në vete.

Avokati Arianit Koci vlerëson se me këtë vizitë nuk do të ketë diçka spektakolare, por tregohet se është afruar koha e fillimit të veprimeve konkrete të Gjykatës Speciale dhe se kjo është një vizitë informuese dhe protokolare.

Ai ka thënë se kjo gjykatë është gjykatë kosovare- me letra, pasi që pos emrit, nuk ka asgjë tjetër kosovare.

“Është fakt notor që hetimet janë zhvilluar që disa vite. Vonesat janë evidente. Tani, infrastruktura ligjore dhe logjistika e Gjykatës Speciale janë përfunduar, dhe besoj që pas Vitit të Ri, do të filloj procedimi penal i të pandehurve. Sidoqoftë, unë kam informacion që aktakuza e parë është dorëzuar”, ka thënë Koci.

Sipas tij, Specialja nuk do të procedoj penalisht presidentin apo edhe kryeministrin e Kosovës.

“Në bazë të informatave që i kam dhe analizës sime, Thaçi nuk do të jetë fare i proceduar penalisht. Eventualisht mund të thirrët në cilësinë e dëshmitarit. Sidoqoftë, është interes i yni nacional që kushdo që eventualisht ka kryer krime, ta merr dënimin e merituar. Por, në të njëjtën kohë, nuk duhet të lejojmë që organet e sigurisë të Serbisë, ta manipulojnë Gjykatën Speciale me informata të rrejshme, dhe të krijojnë situata ku personat e pafajshëm të dënohen.  Sa i përket  Haradinaj, ai e ka dëshmuar pafajësinë e vet, dy herë para drejtësisë ndërkombëtare. Çdo ditë e luftës së tij, është hetuar nga ana e Prokurorisë së udhëhequr nga Carla sel Ponte. Pas çdo hetimi ka rezultuar se Haradinaj ka bërë luftë çlirimtare, të pastër dhe të drejtë, në përputhje me Konventat e Gjenevës”, ka theksuar Koci.

Edhe avokati i njohur, Tomë Gashi paralajmëron zhvillime të rëndësishme gjatë dhe pas vizitës së Trendafilovas në Kosovë.

Ai ka thënë për Indeksonline se vizita e kryetares së Gjykatës Speciale në këtë kohë nuk është aspak e rastësishme.

“Kjo vërtet është vizita e parë e saj në Republikën e Kosovës, por do të jetë më e rëndësishmja për të si kryetare në veçanti dhe si vizita me e rëndësishme e ndonjë zyrtari të lartë të kësaj gjykate, sepse ajo do të vije me porosi të qarta për udhëheqësit e Kosovës, ajo do ta qartësoj pozicionin që nuk do të lejohet asnjë pengese politike dhe as faktike për fillimin e punës së gjykatës. Atë që ajo do t’ua thotë udhëheqësve të Kosovës me siguri nuk do ta shohim ne, sepse do të thuhen pa prezencë të mediave, në takime të mbyllura”, ka potencuar Gashi.

Sipas tij, çështja mbetet për tu parë se kënd do ta takoj ajo nga udhëheqësit e Kosovës dhe se nuk e di si do të interpretohen takimet e saj nga ata që potencialisht mund të jenë të akuzuar në këtë gjykatë shumë shpejt.

“E dijë që ajo juridikisht mund edhe mos ta dijë se kush janë të akuzuarit, sepse kjo është punë e zyrës së prokurorit special në Hagë, Shwendiman, por faktikisht nuk besoi se ajo nuk e di, dhe normal që pas takimeve do të ketë spekulime nga të gjitha anët, ata zyrtarë që do ti takoj ajo mund ta përdorin si argument afatshkurtër se takimi me kryetaren e gjykatës është provë e “’sigurt’ se nuk do të akuzohen në Gjykatën Speciale”, ka thënë tutje Gashi

Ai vlerëson se akuzat i ngrit prokuroria dhe se kryetarja e Gjykatës  nuk ka obligim ti di emrat e të akuzuarve të ardhshëm.

“Sigurisht që vizita e saj paralajmëron një dimër të nxehtë për ata që do të akuzohen në Gjykatën Speciale. Në Hagë ky dimër i nxehtë është dhuratë e deputetëve të Kosovës të vitit 2015 kur votuan kundër shtetit të Kosovës, kundër ish-pjesëtarëve të UÇK dhe  kundër vetvetes. Sido të jetë dimri është afër dhe do të jetë një dimër i nxehtë për këdo që do të niset në Hagë si i akuzuar Në Gjykatën Speciale”, ka shtuar Gashi.